E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Plani urbanistik i munguar për 20 vjet, gati në maj

TIRANË- Në javët e para të muajit Maj, grupi strategjik do të marrë në dorë për vendimmarrje, draftin e detajuar të Planit Rregullues të Tiranës. Kjo do i hapë më pas rrugën, nisjes së konsultimit me publikun të këtij plani, deklaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në Konferencën e parë Ndërkombëtare "Mbi Urbanistikën dhe Arkitekturën", organizuar nga Universiteti “Epoka”. 

Sipas tij, metodologjia që u zgjodh ishte ajo e përfshirjes së të gjithë aktorëve të shoqërisë, botës akademike, profesionistëve, grupeve të interesit, natyrisht edhe të vetë qytetarëve, në një proces racional, bazuar në të dhënat aktuale dhe në progresionet shkencore, mbi çfarë presim të shohim në 30 vitet e ardhshme në qytetin tonë. 

"Ne presim që në dy javët e para të majit, të shpalosim draftin e detajuar të Planit Rregullator të Tiranës para Grupit Strategjik, për një vendimmarrje të parë, që do t’i hapë rrrugën një procesi konsultimi me publikun në muajin maj, qershor e korrik dhe një vendimarrje përfundimtare të strukturave vendimmarëse, që është Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, jo më vonë se shtatori i këtij viti, por ndërsa ky proces ka ecur me një shpejtësi të madhe, i afrohet fundit, një proces tjetër do të nisë së shpejti, ai i hartimit të planeve të detajuara, për pjesë të veçanta të qytetit. Kjo ka qënë një punë voluminoze, me sfida të parashikueshme dhe të paparashikueshme, por falë dedikimit e përkushtimit të grupit të punës, mbështetjes së plotë qytetare, mund të them me krenari dhe jo pa njëfarë surprize, se premtimi ynë fillestar për t’i dhënë qytetit planin që mungonte për 20 vjet, brenda një viti, është shumë afër realizimit". 

Basha nënvizoi se ka ardhur koha që energjia e ekspertëve të urbanistikës dhe arkitekturës, të kanalizohet ashtu siç duhet, “që një model i ri qytetërimi t’i ofrohet qytetit të Tiranës, ku ndërthuret më e mira e traditës tonë me më të arrirën e modernes dhe bashkëkohores".
Një provë për këtë ishte Konkursi Ndërkombëtar për Bulevardin e Ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, një projekt që prek një të pestën, pra 20 % të territorit të Tiranës dhe po kështu edhe territore nga komunat përreth. 

Basha shprehu bindjen se kjo konferencë do i ndihmojë përpjekjes së parë dhe të suksesshme të Tiranës, për të lënë prapa kaosin e tranzicionit dhe për të disiplinuar nëpërmjet një modeli të ri, qytetërimin, të gjitha sfidat dhe problemet dhe për t'u dhënë atyre një të denjë, jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por edhe për brezat e ardhshëm. 

“Nuk ka alternativë për këtë përveçse vendimmarrësit, t’u lëmë mjaftueshëm kohë e mundësi profesionistëve. Jemi plotësisht të vendosur ta bëjmë këtë dhe në këtë kuadër e shoh këtë konferencë si një shans më shumë për suksesin e ndërmarrjes të madhe të përbashkët për Tiranën e vitit 2030”, deklaroi Basha.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›