E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitja e bazave ushtarake, Imami: Opozita gënjen, nuk ka plan të tillë

Bruksel- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka hedhur poshtë akuzat e opozitës mbi shitjen e disa bazave ushtarake.

Gjatë fjalës së tij në Ministerialin e NATO- s në Bruksel, ai u shpreh se deputetë e opozitës po gënjejnë pasi baza ushtarake e Bishtpallës nuk do të lëvizë që aty.

“Për t’a thënë shqip, opozitës duhet t’ia themi që po ia fut kot. Ajo opozitë që ka dy vjetë e gjysmë, në vend që të vijë të merret me këto gjëra të rëndësishme, është një opozitë që flet për ca prona që, e para e punës, e kam deklaruar që nuk do të lëvizin që aty, e dyta, nuk niset nga prona për të ardhur tek plani strategjik i ushtrisë, por nisemi nga planifikimi strategjik i ushtrisë për të dalë tek pronat. Më vjen keq që janë kaq të painformuar, janë kaq të paditur, edhe kaq jo-konstruktivë me një politikë e cila është politikë e përbashkët, politika për NATO- n 20 vjet ka qënë politikë e përbashkët”- deklaroi ai.

I pyetur nga gazetarët lidhur me ankesat e ushtarëve për mosmarrjen e dietave, Imami tha se të gjithë po i marrin dietat dhe brenda gjashtë muajve do të mbarojë i gjithë procesi.

Ne duhet të kuptojmë një gjë, që ne proçesin e demontimit, po e mbështesim nga shitja e materialeve që dalin nga demontimi dhe nganjëherë krijohen mospërputhje. Por, deri në fund, kujt shteti i detyrohet, do t’i plotësojë këto detyrime. Dje e kam bërë këtë gjë, do të vijoj dhe besoj se shumë shpejtë, brenda 6 mujorit të parë, ne do të jemi në balancë të plotë me të gjithë ushtarët tanë që të marrin dietat, të cilat u takojnë- vijoi ministri.

Lidhur me dietat e komandove shqiptarë në Afganistan ai tha se ka pasur probleme, por edhe ato janë drejt zgjidhjes.

Lidhur me këtë të Afganistanit, ka pasur një problem, nëse nuk gaboj, në fund të vitit, i cili është korrigjuar menjëherë me hapjen e buxhetit të ri, por nuk ka ndonjë problem, në kuptimin që të jetë problematik, ne e kemi të parashikuar me buxhet të gjithë mbështetjen për ushtarakët tanë që janë në mision. Kjo gjë është e parashikuar totalisht në buxhetin tonë, ne nuk kemi asnjë mungesë në buxhet, dhe nuk ka asnjë arsye që të ndodhë diçka e tillë.- u shpreh Imami.
Ai ka folur gjithashtu edhe për kreun e flotës detare, duke u shprehur është e nevojshme të emërohet një komandant pasi është një pjesë tepër e rëndësishme e ushtrisë.

“Komandant është zëvëndës komandanti tani. Nuk ka asnjë efekt ligjor, nuk ka asnjë dëm, nuk ka sjellë asnjë gjë kjo gjë. Në fakt ai duhet, duhej të ishte komanduar. Në qoftë se do të ishte komanduar, do të ishim në rrugën e duhur. Meqënëse kishim bërë një gabim si Ministri, e tërhoqa krejtësisht (emërimin), përndryshe, po t’a kishin bërë siç duhet atë dokument, të cilin e kanë menduar rutinë, ai do të vazhdonte të qëndronte i komanduar.
Fakti që është që kemi një problem e që duhet t’a ndreqim e që ky është dhe shkaku i gabimit, është që Presidenti nuk mund t’a emërojë, dhe ka refuzuar përpara t’a emërojë. Ministri nuk mund ta emërojë, por nuk mund të mbetet një njësi e rëndësishme e ushtrisë pa komandant”- vijoi Imami.

Në këtë takim janë takuar ministrant e Mbrojtjes së Aleancës Euro- Atlantike, ku Shqipëria ka mbështetur deri në vitin 2020 planin e mbrojtjes së NATO- s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›