E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Plotësuam kushtet për vizat, do raportojmë më 31 gusht



Erald Kapri

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha raportoi dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend, nga ku deklaroi se vendi ka plotësuar 3 kriteret e fundit për liberalizimin e vizave. Basha shprehu bindjen e tij se vizat do të liberalizohen, pas vizitës së fundit të ekspertëve të Komisionit Europian në Tiranë. Ministri tha më tej se një raport i fundit i Qeverisë shqiptare do t'i dërgohet KE-së në datën 31 gusht. "Personalisht jam i bindur se në të treja kriteret ne kemi lëvizur për plotësimin e plotë të këtyre detyrimeve. Ne do të paraqesim një raport të fundit më 31 gusht dhe kjo ka qenë praktika edhe me vendet e tjera", deklaroi Basha. Në komision, ministri u pyet nga deputetët Damian Gjiknuri e Ditmir Bushati për sigurinë e pasaportave biometrike, si dhe plotësimin e kushteve, ndërsa Basha u shpreh se pasaportat biometrike janë nga më të sigurtat në Europë. "Ekspertët e BE do ta gjejnë këtë kusht të përmbushur nga Shqipëria. Në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore janë shtuar burimet e nevojshme për këtë gjë. Edhe në strukturën e narkotrafikut mbizotëron e njëjta gjë. Ekspertët vlerësojnë faktin që Qeveria alokoi fonde për sistemin Memex, në mënyrë që inteligjenca kriminale të jetë e mbledhur në një sistem të brendshëm", shtoi Basha, ndërsa shtoi se "organizata që drejtonte zoti Bushati para se të bëhej deputet thoshte pak muaj më parë se Shqipëria ndodhet në një stad më të lartë seç ndodheshin vendet që morën vizat vitin e kaluar". Por debati vijoi më tej, pasi deputetët e opozitës kërkuan shpjegime edhe për çështje të cilat janë ende nën hetim. Deputeti Pirro Lutaj kërkoi nëse ka ndonjë të re nga zbardhja e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Deputeti i PS-së në Kukës, Asllan Dogjani, u shpreh se kërkon ministrin në një interperlancë parlamentare, për vajzën 6- vjeçare të humbur në Kukës. Deputeti Gazmir Bizhga kërkoi shpjegime për ndërhyrjen, sipas tij, të paligjshme e të dhunshme të policisë në Hamallaj të Durrësit, si dhe kërkoi shpjegime mbi vrasjen e një 16-vjeçari gjatë një aksioni të policisë. Ministri Basha nuk dha përgjigje të drejtpërdrejta pasi, sipas tij, nuk duhet paragjykuar asnjë veprim i Policisë së Shtetit, sa kohë nuk kanë dalë rezultatet zyrtare të hetimit për ngjarjet e caktuara. "Të mos paragj-ykojmë asnjë veprim të Policisë së Shtetit para se të dalin rezultatet zyrtare të hetimit. Për çdo rast unë mendoj se duhet të kemi durimin dhe besimin tek strukturat shtetërore. Opozita po denigon punën dhe arritjen e Policisë së Shtetit. Shqipëria nuk është më vend tranzit i qenieve njerëzore dhe i trafikut të heroinës. Shqipëria shënon 0 trafikim personash nëpër territorin tonë", shtoi ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›