E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inva Mula: Pirro Çako më braktisi nga dhjetori 2007



Armand Bajrami

Kantautori Pirro çako që nga data 28 dhjetor 2007 nuk është kthyer për asnjë ditë të vetme në shtëpinë e bashkëshortes së tij, aktualisht ish-bashkëshorte, sopranos Inva Mula, në Paris. Kështu, në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme çako ka ndërprerë përmbushjen e detyrimeve që rridhnin nga martesa me sopranon Mula, çka e ka bërë të pamundur vazhdimin e lidhjes së tyre martesore. Të paktën kështu arsyetohet nga ana e Gjykatës së Tiranës në vendimin e divorcit mes sopranos Inva Mula dhe kantautorit Pirro çako, shpallur në 29 qershor 2010. Gjykata e Tiranës ka zbardhur pak ditë më parë vendimin e plotë, që i dha fund martesës disavjeçare mes çiftit të famshëm. Në përfundim të tij, gjykata shprehet se kërkesa e bërë nga Inva Mula për zgjidhje martese nga kantautori çako është e bazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë pranohet. Në vendim gjykata pohonte se për shkak të largësisë mes dy ish-bashkëshortëve kishte humbur baza e unitetit të familjes: ndjenja e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok. Gjithashtu një pjesë të konsiderueshme në vendim zinte edhe arsyetimi për përcaktimin e kujdestarisë së fëmijës së çiftit.
ARSYETIMI
Vendimi i shpallur nga gjyqtarja Elona Gjoka mbi zgjidhjen e martesës mes dy të famshmëve Mula dhe çako mban numrin 5384. Në vendim pohohet që kantautori çako e ka justifikuar me angazhimet profesionale largimin nga Parisi për në Tiranë, ndërsa nuk ka kundërshtuar faktin se nuk ka kontribuar në rritjen dhe edukimin e fëmijës së tij. "Sipas palës paditëse, vendimin për largimin nga banesa bashkëshortore dhe për ndërprerjen e jetës së përbashkët, duke filluar që nga data 28.12.2007, i padituri Pirro çako e ka marrë në mënyrë të njëanshme, pa pasur për këtë vendim mirëkuptimin dhe pranimin e bashkëshortes së tij paditëses, Inva çako (Mula). I padituri shpjegoi para gjykatës se e ka marrë në funksion të realizimit dhe përmbushjes të aktivitetit të tij profesional. Gjithashtu pala paditëse pretendoi se i padituri Pirro çako që nga data 28.12.2007 e në vazhdim nuk është kthyer për asnjë ditë të vetme në banesën bashkëshortore në Paris dhe nuk ka dhënë asnjë kontribut për familjen e përbashkët si për sa i përket marrëdhënies me bashkëshorten, ashtu edhe për kontributin e nevojshëm për rritjen dhe edukimin e fëmijës Anthony çako. I padituri Pirro çako dhe përfaqësuesja e tij nuk e mohuan këtë pretendim të paditëses, nuk parashtruan ndonjë fakt dhe nuk paraqitën ndonjë provë që të vërtetonin të kundërtën e pretendimit të palës paditëse", thuhej në vendimin e gjykatës. Në lidhje me vazhdimin apo jo të lidhjes martesore mes çakos dhe Mulës, gjykata arsyetonte: "Gjykata arrin në konkluzionin se në kushtet kur jetesa e përbashkët dhe bashkëpunimi i bashkëshortëve në interes të familjes është ndërprerë për një kohë tepër të gjatë; për bashkëshortët ka humbur ndjenja e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok si baza e unitetit të familjes; si dhe në kushtet kur i padituri Pirro çako në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme ka ndërprerë përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga martesa, është bërë e pamundur që martesa të vazhdojë. Kjo martesë e ka humbur qëllimin dhe kuptimin e saj për të dy bashkëshortët dhe si pasojë kërkesa e paditëses për zgjidhjen e saj duhet të pranohet".
HISTORIA
Inva Mula dhe Pirro çako lidhën martesë së bashku në 2 korrik të vitit 1987 në Tiranë. Nga kjo martesë bashkëshortëve u ka lindur një djalë Anthony çako, në vitin 1995. Fëmija Anthony ka lindur në Paris, Francë. Në vitet e para të martesës bashkëshortët kanë jetuar në Tiranë, Shqipëri dhe më pas ata janë zhvendosur për të jetuar dhe punuar në Paris, Francë, ku kanë fituar edhe shtetësinë franceze. Fillimisht marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë të mira, por në mënyrë graduale me kalimin e kohës ato janë keqësuar dhe aktualisht bashkëshortët prej datës 28.12.2007 jetojnë faktikisht të ndarë: sopranoja Mula së bashku me djalin në Paris, Francë, ndërsa kantautori çako në Tiranë. Në prill të vitit 2009 Mula i kërkoi Gjykatës së Tiranës zgjidhjen e martesës nga çako, kërkesë që u pranua nga gjykata në 29 qershor 2010.

Djali, në kujdestarinë e Inva Mulës
Sipas vendimit të gjyqtares Elona Gjoka, kujdestaria e djalit të mitur të ish-bashkëshortëve Mula-çako, i takon sopranos Mula. Kujdestaria e të miturit ishte një nga pikat më të nxehta të këtij divorci. Për të caktuar prindin kujdestar gjykata mori edhe mendimin e vetë fëmijës, i cili kërkoi të jetonte me mamanë e tij në Paris, si edhe mendimin e psikologut. Por ndonëse kujdestaria prindërore iu caktua sopranos Mula, kantautori çako mund ta takojë fëmijën e tij në çdo moment të mundshëm. "Duke mbajtur parasysh deklarimet e vetë fëmijës Anthony përpara gjykatës, i cili deklaroi se ka marrëdhënie shumë të mira me babanë e tij si dhe deklarimet e paditëses Inva çako (Mula), e cila deklaroi para gjykatës se ajo është plotësisht e hapur dhe do të kontribuojë në funksionimin sa më të mirë midis fëmijës Anthony çako dhe babait të tij Pirro. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›