Topalli: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori pjesë në punimet e Konferencës së tretë Botërore të Kryetarëve të 261 parlamenteve nga 186 vende të botës, nga ku ajo theksoi se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. "Kosova, 2 vjet pas shpalljes së Pavarësisë po progreson shumë shpejt në një rajon stabël e në paqe. Shfrytëzoj rastin për të ftuar të gjithë ato vende, që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, ta njohin shtetin më të ri të botës. Ai është një realitet i pakthyeshëm", tha Topalli. Më tej në fjalën e saj, Topalli vuri në dukje ndryshime në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste. "Shqiptarët e Shqipërisë kanë vuajtur për gjysmë shekulli diktaturën më të egër. Shqiptarët në Kosovë kanë histori shtypje e genocidi. Sot, vendi im, Shqipëria, pas rrëzimit të komunizmit 20 vite më parë, është transformuar në mënyrë rrënjësore", shtoi ajo. Kryetarja e Kuvendi pati mundësinë të takohej me shumë homologë të saj, duke kërkuar në veçanti njohjen e mëtejshme të shtetit të Kosovës. "Më shumë se askush tjetër, ne, shqiptarët të ndarë në katër shtete, jemi të vetëdijshëm se Europa dhe integrimi janë progresi dhe e ardhmja jonë", tha Topalli.