E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha-Pojar, diskutohen detajet teknike për aplikimin në BE



Shqipëria do të bëjë aplikimin për fitimin e statusit kandidat për të hyrë në BE brenda presidencës çeke. Një fakt të tillë e konfirmuan dje ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, dhe zëvendësministri i Jashtëm çek, Tomas Pojar. Kreu i diplomacisë shqiptare priti në zyrën e tij Pojarin, duke rikonfirmuar se aplikimi për në BE do të ndodhë së shpejti. Burime pranë takimit bëjnë me dije se dy personalitetet diskutuan detajet teknike për dorëzimin e aplikimit për statusin kandidat. Basha përsëri tha se krahas aplikimit në BE, liberalizimi sa më i shpejtë i vizave të qytetarëve shqiptarë, janë prioritetet kryesore të qeverisë “Berisha”.

Ministri Basha vlerësoi mbështetjen dhe inkurajimin që presidenca çeke, vendet e tjera anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian i kanë dhënë Shqipërisë në këto dy drejtime të rëndësishme. Duke e konsideruar gjashtëmujorin e presidencës çeke të BE-së si periudhën më të përshtatshme për Shqipërinë për të aplikuar për vend anëtar të BE-së, të dy diplomatët vlerësuan se është mjaft i rëndësishëm koordinimi i hapave të mëtejshëm diplomatikë për të realizuar aplikimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Bashkëbiseduesit ranë dakord që të dyja palët të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm dhe intensiv në javët e ardhshme. Gjatë takimit, Basha dhe Pojari vlerësuan gjithashtu si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, si në dimensionin politik, ashtu dhe marrëdhëniet ekonomike. Zëvendësministri i Jashtëm çek u shpreh se qeveria e Republikës Çeke do të vijojë të inkurajojë më tej biznesin çek për të investuar në Shqipëri. “Stabiliteti politik dhe ekonomik i vendit është një faktor mjaft i favorshëm për investimet çeke në Shqipëri”, - deklaroi Pojari. Ai shprehu në emër të qeverisë çeke kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në NATO gjatë samitit të ardhshëm në datat 3-4 prill në Strasburg/Kehl. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Tomas Pojar, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri në kuadër të koordinimit të veprimeve ndërmjet presidencës çeke të BE-së dhe vendit tonë në funksion të avancimit të mëtejshëm të proceseve integruese Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Kryeministri çek, Topolanek, ftesë Berishës

Kryeministri Sali Berisha priti dje zëvendësministrin e Jashtëm çek, Tomas Pojar, i cili i përcolli ftesën e Kryeministrit çek, Topolanek, për të vizituar Pragën. Pojar u shpreh se qëllimi i kësaj vizite është t'i përcjellë Kryeministrit Berisha ftesën e Kryeministrit Topolanek për një vizitë zyrtare në Pragë në kohën më të afërt, të përshtatshme për Kryeministrin Berisha. Njëkohësisht ai e informoi Kryeministrin, për vendimin e Topolanekut për të ngritur Këshillin e Stabilizim-Asocimit, siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, që pritet të hyjë në fuqi në prill. Pojari bëri të ditur se ish-Presidenti çek, Havel, mik i Shqipërisë dhe i Kryeministrit Berisha, do të vizitojë Shqipërinë në muajin prill të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›