Topalli: Doktrina jonë ekonomike shpëtoi vendin nga kriza
Në vijim të vizitës së saj në Bruksel, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbajti dje një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Euro-Mesdheut, nga ku deklaroi se doktrina ekonomike e qeverisë “Berisha” shpëtoi Shqipërinë nga kriza ekonomike që pllakosi botën. Në fjalën e saj, Topalli tha se doktrina e aplikuar e uljes së taksave, investimit 30 për qind të buxhetit në rrugë, ura, ujësjellës, edukim, rritjen e pensioneve dhe rrogave, rritjen e të ardhurave, e aplikuar në Shqipëri, është strategjia e sotme e vendeve të prekura, për t'i shpëtuar krizës financiare. “Por kjo doktrinë, - tha Topalli, - shoqërohet nga një paketë stimuluese, unike në llojin e vet. Një paketë ambicioze dhe gjigande, pasi arrin në 8 për qind të GDP-së. Kjo paketë konsiston kryesisht në mbështetje direkte të biznesit të vogël, të të pastrehëve, industrisë së ndërtimit dhe qytetarët me të ardhura më të ulëta”. Në vijim të takimeve, ishin ato me Presidentin e Parlamentit Evropian, Potering, Presidentin në detyrë të Këshillit Evropian, Shvarcenberg, me kryetarin e Parlamentit të Jordanisë, kryetarin e Parlamentit të Marokut, kryetarin e Parlamentit të Monakos, kryetarin e Parlamentit të Egjiptit. Në takimin me ministrin e Jashtëm çek, Karel Shvarcenberg, Topalli vuri theksin tek liberalizimi I vizave si një çështje me interes kombëtar për Shqipërinë. “Heqja e vizave, objektiv kryesor për t’u realizuar në kohë rekord”, - tha Topalli. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm çek, Shvarcenberg, shprehu mirëkuptimin e tij të plotë për çështjen e liberalizimit të vizave të shqiptarëve, si dhe përcolli vlerësimet e tij më pozitive për hapat dhe reformat që ka ndërmarrë Shqipëria, në procesin e integrimit. Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryetares Topalli iu konfirmua anëtarësimi në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut, EURO-MED, vetëm dy javë para anëtarësimit me të drejta të plota në NATO.