Bogdani: PS-ja shpif me progres-raportin e BE-së
Zëdhënësi i Partisë Demokratike deklaroi dje se Partia Socialiste shpif në lidhje me progres-raportin e BE-së për Shqipërinë. “Mister 15% apo tashmë edhe Mr. Dosja, me zëdhënësin e tij të ri, një njeri që është ndaluar në kufijtë e vendeve fqinj, sepse ka nxjerrë viza dhe ka trafikuar me makinën e tij vajza të reja; një njeri që ka ndërtuar pasuritë e tij mbi trafikun e tyre, foli sot nga selia e Partisë Socialiste, me një gjuhë të një rrugaçi ordiner, në një deklaratë të diktuar nga z. Dosja, duke trilluar, mashtruar dhe dezinformuar qytetarët shqiptarë lidhur me progres-raportin e Bashkimit Evropian”, - tha Bogdani. Ai e cilësoi si të papranueshme deklaratën e deputetit të PS-së, Taulant Balla. “Z. Balla u paraqit sot me moralin e atij që merr përsipër të shesë dhe të blejë njerëz si skllevër, ai u paraqit sot me një gjuhë ordinere; u paraqit sot më shumë se kurrë, simbol i politikës, të ashtuquajtur të re, por që siç shihet qartë, vetëm e re nuk është”, - tha Bogdani.