E Diel, 1 Nëntor 2026

Tepelenë; Tenton të vrasë me thikë 17-vjeçarin, arrestohet nga policia



Policia e Memaliajt vuri në pranga një 25-vjeçar, i cili tentoi të vriste me thikë një adoleshent. Në pranga të uniformave blu ra shtetasi Drilon Shehu, lindur dhe banues në Memaliaj të rrethit Tepelenë. Sipas policisë, arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas, rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, në ambientet e një qendre interneti në qendër të qytetit Memaliaj, ka tentuar të vrasë me thikë shtetasin D.K., 17 vjeç, lindur dhe banues në Memaliaj, për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, ku në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se i kërcënohej jeta në një qendër interneti në Memaliaj. Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Tepelenë është ndodhur shumë afër pasi ishte duke patrulluar në qytetin e Memaliajt dhe ndërhyrja e menjëhershme e punonjësve të policisë së Patrullës së Përgjithshme, si dhe e dy qytetarëve të ndodhur në qendrën e internetit, kanë bërë të mundur që shtetasi që i kërcënohej jeta të shpëtonte pa marrë plagë dhe agresori të izolohej dhe shoqërohej në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, ku dhe u bë arrestimi i tij në flagrancë. Sipas burimeve zyrtare, 25-vjeçari herë pas here ka shfaqur shenja të tronditjes psikike, ku dhe momentin që ka tentuar të vrasë me thikë shtetasin e lartpërmendur, ka qenë në gjendje depresive.

Materialet i kaluan prokurorisë së rrethit. Sipas policisë, 25-vjeçari u shoqërua në qelitë e paraburgimit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›