E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Remzi Hoxhës, gati pyetjet për Avdyl Loshajn



Dy dëshmi janë lexuar dje në procesin gjyqësor në ngarkim të tre ish-zyrtarëve të SHIK-ut, aktualisht SHISH, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lexuar deklarimet e ish-mjekut të bazës së SHIK-ut, Ylli Xhaxhika, i cili aktualisht ka vdekur dhe ish-drejtori i këtij institucioni, Mehmet Hoxholli, i cili ndodhet i shtruar në spital. Të dy këta dëshmitarë kanë dhënë shpjegime përpara organit të akuzës për ngjarjen e ndodhur në vitin 1995, deklarime të cilat u lejuan të lexohen për shkak të statusit të tyre. “Kam punuar si mjek dhe katër vjet kam qenë në burg. Kam qenë shef mjekësie në SHIK nga viti 1992-1996. Natyra e punës time ka qenë të bëja vizita. Në fund të vitit 1995, kemi qenë me zyra poshtë Shkollës së Bashkuar, afër spitaleve. Jemi nisur me një makinë, kemi kaluar urën e treshit në Kamëz, kur një person na ka bllokuar rrugën. Shoferi ynë i ka dalë përpara dhe e ka sharë. Më pas kemi marrë drejtimin për në Lezhë, ku kemi qëndruar në një vilë. Personat që po udhëtoja duhet të ishin të SHIK-ut. Jam futur në një dhomë, ku ishte një krevat i vetëm dhe ishte një person, i palarë, i ri, të cilin e kishte shoqëruar SHIK-u. Pasi e pastruan, i veshën një palë pizhame. Kur e kam vizituar, kam parë që në fund të barkut kishte një shenjë operacioni të vjetër. Kishte debulesë. I dhashë si mjekim disa ilaçe, që nuk e di se kush ia bleu. Tek vila kishte persona që nuk i njihja. Jashtë kishte një lokal me ushqime shumë të mira”, - ka treguar Ylli Xhaxhika, gjatë marrjes së tij në pyetje më 27 maj të vitit 2003. Në fund të deklarimeve të tij, dëshmitari shpjegonte se nuk e dinte se kush ishte personi që kishte mjekuar për arsye se e kishin urdhëruar gjatë rrugës që të mos pyeste për asgjë. Sipas tij, personi që ngiste makinën duhet të ishte ndonjë shef për nga mënyra sesi ai jepte urdhra e fliste. Ndërkohë që dëshmitari Mehmet Hoxholli në dëshminë e dhënë nga ana e tij përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore bënte me dije se nga viti 1993 deri në vitin 1995 kishte punuar si nëndrejtor në bazën e SHIK-ut Tiranë, në vitin 1995-1996 kishte qenë drejtor në këtë post, ndërsa në vitin 1997 kishte dalë në lirim. Në deklarimet e tij, dëshmitari Hoxholli ka dhënë shpjegime në lidhje me funksionimin e SHIK-ut. Sipas tij, pas rikonstruktimit në vitin 1995, puna ka qenë me rajone në të cilat grumbulloheshin informacione të sakta. Dëshmitari kishte dhënë shpjegime se nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me rrëmbimin e shtetasit Remzi Hoxha. Po ashtu Hoxholli shpjegonte se nuk kishte dijeni që Avni Koldashi kishte shkuar në Sarandë dhe kishte shoqëruar Ziso Kristopulin, apo për hedhjen nga kati i tretë të Avdyl Loshajt. Ai theksonte se për të gjitha shoqërimet merrej shefi i vëzhgimeve, Arben Sefgjini, ndërsa vihej edhe ai në dijeni. Në fund të dëshmisë së tij, Mehmet Hoxholli shpjegonte se SHIK-u mund të bënte kërkesa të veçanta në Ministrinë e Brendshme, ku i kërkonte targa civile, të cilat përdoreshin për operacione të veçanta.

Prokuroria lexon pyetjet për dëshmitarin Loshaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lexuar dje të gjitha pyetjet për dëshmitarin kyç të këtij procesi Avdyl Loshaj. Pyetjet konsistonin kryesisht në njohjen e tij me Remzi Hoxhën, Ziso Kristopulin, për ndonjë ngjarje që mund t’i ketë ndodhur dëshmitarit, si dhe për ndonjë aktivitet kriminal në dëm të shtetit tonë etj. Pas leximit të të gjitha pyetjeve nga ana e prokurorisë, avokati mbrojtës i të pandehurit Avni Koldashi ka lexuar dy pyetje të klientit të tij. “A më keni njohur ju personalisht në vitin 1995? Nëse po, ku? A keni ndonjë akuzë personalisht ndaj meje për ngjarjen që ju ka ndodhur në vitin 1995?”. Këto mësohet të kenë qenë dy pyetjet që janë bërë nga i pandehuri Avni Koldashi dhe të depozituara në sekretarinë e gjykatës. Ndërkohë që avokatët e Ilir Kumbaros kanë kërkuar që të jenë prezentë gjatë ekzekutimit të letër-porosisë për të bërë edhe ata pyetjet e tyre. Gjykata i saktësoi mbrojtësit që lejimi i tyre për pjesëmarrjen gjatë deklarimeve të Loshajt do të kryhet vetëm për pyetjet shtesë, nëse e lejon gjykata holandeze. Avokatët kanë shprehur të drejtën që të përgatisin të gjitha pyetjet e tyre për Loshjan, pyetje këto që do t’i bëhen të ditura gjykatës në seancën e radhës.

Pyetjet drejtuar Avdyl Loshajt

1. Jeni pyetur nga prokuroria, policia më parë? Cili ka qenë problemi?

2. Keni qenë në Shqipëri? Ku keni shkuar?

3. Keni miq, shokë?

4. Sa keni qëndruar në Shqipëri? Ku keni shkuar? Ku keni punuar në atë periudhë?

5. Ju ka ndodhur ndonjë ngjarje?

6. E keni njohur shtetasin Remzi Hoxha? Ku? Kur? Çfarë marrëdhënie keni pasur me të?

7. Ku banonte Remzi Hoxha? Sa herë jeni takuar?

8. Kur jeni takuar për herë të fundit?

9. E njihni Et’hem Hoxhën? Nebi Hoxhën?

10. Shtetasja Sefdie Hoxha ka deklaruar se ka një regjistrim të bisedës suaj me Nebi Hoxhën. Jeni në dijeni? Ato që keni deklaruar janë reale? Na shpjegoni të gjithë ngjarjen.

11. Keni pasur probleme shëndetësore më parë? Si mund të na i vërtetoni?

12. A njiheshit më parë me personat që ju kanë torturuar? Kush qe shkaku i rrëmbimit tuaj?

13. Keni tentuar të kryeni ndonjë aktivitet kriminal me Ziso Kristopulin dhe Remzi Hoxhën në dëm të shtetit shqiptar?

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›