E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi, lexohet kërkesa për gjykim në çështjen “Gërdeci”



Pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të seancave, më në fund dje iu dha udhë çështjes së tragjedisë “Gërdeci”. Pas rrëzimit të kërkesave të mbrojtjes dhe të pandehurve, gjykata u dha fjalën prokurorëve të çështjes për të lexuar kërkesën për gjykim, duke çelur në këtë mënyrë shqyrtimin gjyqësor. Prokuroria ka lexuar të njëjtën akuzë në procesin gjyqësor për shpërthimin e ndodhur më 15 mars të vitit të kaluar, veçse nuk do të kishte më në dosje të pandehur për ish-ministrin e Mbrojtjes, por shtetasi Fatmir Mediu. Madje, ky shtetas nuk do të jetë as dëshmitar në çështjen “Gërdeci”, pasi gëzon statusin e deputetit dhe ka imunitet. Ndërkohë, gjatë leximit të kërkesës për gjykim, prokuroria deklaroi se shpërthimi ndodhi si pasojë e një gabimi njerëzor, duke rrëzuar pretendimet e z. Mediu. Procesi gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve të kësaj çështjeje nisi në orarin e caktuar nga gjykata, ndërkohë që togat e zeza fillimisht kanë rrëzuar 14 kërkesat paraprake të të pandehurve në këtë proces, mes të cilave kishte kërkesa për shkelje të afateve hetimore, kërkesa për gjykim të shkurtuar, kërkesa për gjyq me dyer të mbyllura apo edhe kërkesa për pavlefshmëri të ekspertizave të kryera nga prokuroria. Ndërsa ka rezervuar të shprehet për kërkesat e dy të pandehurve, Spahiut dhe Mullait, për pavlefshmëri të deklarimeve të tyre dhe kërkesën e Zija Bahës për pavlefshmëri absolute të aktvendimit tekniko-ushtarak. Grupi hetimor ka nisur leximin e aktit të akuzës prej 108 faqesh, ku janë renditur njëra pas tjetrës provat me të cilat prokuroria do të paraqitet në këtë gjykim për të provuar fajësinë e 29 të pandehurve, mes të cilëve gjenden ushtarakët dhe zyrtarët më të lartë shqiptarë të periudhës 2005–2009 në Ministrinë e Mbrojtjes. Prokuroria ka lexuar të njëjtën akuzë të bërë gati kur në proces ishte i pandehur edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, por pjesën “i pandehur” e ka zëvendësuar me fjalën “shtetasi”. Pjesa më madhe e provave të sjella nga prokuroria para gjykatës janë bërë publike nga media në kohën që dosja u soll për gjykim në Gjykatën e Lartë, por edhe gjatë kohës kur çështja ishte nën hetim. Sipas përllogaritjes së dëmeve që të pandehurit me veprimet apo mosveprimet e tyre i kanë shkaktuar fshatit dhe banorëve në Gërdec, rezulton sipas aktit të akuzës, se bëhet fjalë për 1.4 miliard lekë. Ndërkohë që gjatë leximit të akuzës, për organin qendror të akuzës, mënyra se si shpërtheu fabrika në Gërdec, ka qenë një gabim njerëzor. Prokuroria tha se në momentin që po kryhej një saldim brenda ambienteve ku kryhej demontimi, shkëndijat elektrike kanë rënë mbi masën e madhe të barutit, duke shkaktuar shpërthimin që solli tragjedinë. Në seancat në vazhdim do të vijohet me pyetjen e dëshmitarëve, 391 persona, të cilët do të jenë në këtë gjyq, kryesisht ish-punëtorë të fabrikës vdekjeprurëse, të cilët janë të mbijetuarit e tragjedisë. Ata do të dëshmojnë para gjykatës mbi punën në këtë fabrikë, rolin e të pandehurve të arrestuar, momentet para, gjatë dhe pas shpërthimit. Tragjedia e rëndë e 15 marsit 2008 shkaktoi 26 viktima dhe mbi 300 të plagosur. Mes të pandehurve janë dhe Mihal Delijorgji, administratori i fabrikës së demontimit të municioneve që shpërtheu, Ylli Pinari, Dritan Minxholli, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha dhe ish-funksionarë të tjerë të lartë të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›