Basha: Policia e angazhuar të përmbushë kriteret për vizat
TIRANE - Ligji antimafia, hetimi i aseteve kriminale dhe përmirësimi i sigurisë rrugore, u renditën dje si rezultatet më pozitive të Policisë së Shtetit nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Ai bëri një raport të punës së policisë në 6-mujorin e fundit, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e radhës të misionit PAMECA III. Ministri Basha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e bordit të palëve të interesuara të projektit të asistencës policore të Komisionit Evropian, vlerësoi ecurinë e qëndrueshme të projektit dhe sidomos arritjet gjatë gjashtëmujorit të fundit. Basha theksoi faktin se objektivat e përcaktuara në kuadër të projektit, janë realizuar plotësisht. Kjo, sipas tij, si rezultat i një prej angazhimeve kryesore të Policisë së Shtetit, që aktualisht është përmbushja e çdo kriteri të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. I pranishëm në aktivitetin e djeshëm ishte edhe shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë Helmuth Lohan. Gjatë fjalës së tij ai vlerësoi hapat e hedhur nga Shqipëria për liberalizimin e vizave. “Ne kemi parë progres të rëndësishëm gjatë këtyre gjashtë muajve. Kemi parë progresin e projektit PAMECA jo vetëm në ecjen e tij përpara, por edhe në dhënien e këshillave konkrete. Jam i sigurt se kjo punë e deritanishme do të gjenerojë më shumë sukses në periudhën afatgjatë dhe mendoj se projektet janë tashmë në rrugë të drejtë”, është shprehur Lohan. Më pas ai ka përmendur në veçanti progresin e evidentuar edhe nga ekspertët e misionit të Komisionit Evropian në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. “Progresi në këtë fushë është raportuar edhe më parë nga kolegët ambasadorë. Do të thosha se ky progres erdhi në kohën e duhur”, deklaroi ambasadori Lohan. e.d