E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet Prokuroria e Durrësit



Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Durrësit ndodhet në krizë institucionale pasi prej katër muajve e gjysmë, organi qendror i akuzës ka vonuar në emërimin e drejtuesit të saj. Mungesa e drejtuesit të Prokurorisë në Durrës, ka nxjerrë thuajse jashtë loje institucionin që drejton hetimet dhe ndjekjen penale në një qytet të rëndësishëm të vendit, i dyti për nga numri i popullsisë. Shkak është bërë përfundimi i mandatit të drejtuesit të komanduar në Prokurorinë e Durrësit, i cili mori detyrën më 30 tetor 2009. Ai u komandua nga kryeprokurorja Ina Rama pas shkarkimit të prokurorit të mëparshëm të Durrësit Arjan Ndoja. Sipas ligjit “për prokurorinë” (neni 25) komandimi i prokurorit, mund të bëhet për një afat katër mujor dhe mandati i tij mund të zgjatet vetëm me pëlqimin e vetë prokurorit të komanduar. Pas largimit të drejtuesit të mëparshëm, më 30 tetor 2009, Ina Rama komandoi në krye të Prokurorisë së Durrësit, prokurorin Bujar Sheshi. Atij i ka mbaruar mandati 4-mujor në datë 2 mars, dhe prej asaj dite, Prokuroria e Durrësit ka hyrë në një krizë institucionale duke mos arritur të ushtrojë funksionet e saj. Shkak është bërë mungesa e titullarit e për rrjedhojë edhe pamundësia e prodhimit të akteve të Prokurorisë (fillimi i procedimeve penale, pushimi i dosjeve që nuk përmbajnë vepër penale, urdhër-arrestet, urdhrat e sekuestrimit, etj), të cilat sipas ligjit dhe procedurave, marrin forcë ligjore vetëm pasi firmosen nga prokurori i rrethit.
Përplasja me Topin
Zvarritja e procedurës për emërimin e kryeprokurorit të ri të Durrësit, duket të ketë ardhur në rastin më të mirë, nga një mospërputhje e qëndrimeve të Prokurores së Përgjithshme dhe Presidentit të Republikës. Sipas procedurës, emërimi i prokurorit të rrethit fillon me votimin e kandidaturës në Këshillin e Prokurorisë, i cili i propozon emrin ose emrat prokurores së Përgjithshme. Kjo e fundit, zgjedh emrin e prokurorit dhe më pas ia kalon atë Presidentit të vendit për dekretim. Nëse Presidenti nuk dekreton emërimin, çdo vendim i prokurorisë është i pavlefshëm. Pikërisht për këtë shkak, duket se emërimi i prokurorit të ri të Durrësit është zvarritur që nga 30 tetori i vitit 2009 deri ditën e djeshme më 16 mars 2010, për plot katër muaj e gjysmë. Gjatë kësaj periudhe, prokurorja e Përgjithshme mësohet se ka pasur disa kontakte me Presidentin e Republikës në funksion të emërimit të kreut të Prokurorisë së Durrësit. Një prej tyre ka qenë takimi i datës 3 shkurt 2010, kur kryeprokurorja u prit në selinë e Presidencës nga kreu i shtetit Bamir Topi. Procedurialisht vetëm një refuzim i kandidaturave nga kreu i shtetit, duket të ketë bërë të pamundur dërgimin për dekretim të emrave nga Prokurorja e Përgjithshme. Sipas ligjit, Presidenti mund të refuzojë dekretimin e propozimit të dërguar nga Prokurorja e Përgjithshme në rast se kandidati nuk plotëson kriteret profesionale apo morale për të marrë detyrën.

Këshilli votoi 4 kandidatë
Sheshi prej 3 ditësh nuk paraqitet në zyrë

TIRANE – Prokuroria e Durrësit në mungesë të drejtuesit të saj gjatë dy javëve të fundit ka kryer vetëm veprimet e masave të arrestit. Organi i akuzës ka dërguar në gjykatë vetëm kërkesat për masat e sigurimit për personat e arrestuar të cilët mund të liroheshin në rast të tejkalimit të afateve 72-orëshe të paraburgimit. Asnjë veprim tjetër nuk është kryer në Prokurorinë e Durrësit për shkak të pamundësisë së firmosjes së akteve nga drejtuesi i Prokurorisë. Prokurori i komanduar Bujar Sheshi, mësohet se prej tri ditësh nuk është paraqitur në zyrën e tij në Durrës. Ndërkohë, pak ditë më parë, Këshilli i Prokurorisë me votim i ka propozuar Prokurores së Përgjithshme katër kandidatura për drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Në datën 12 mars 2010, Këshilli i prokurorisë hapi votimin dhe në përfundim të tij u deklarua se nga 15 kandidatët për të marrë drejtimin e prokurorisë, ishin votuar vetëm katër prej tyre. Votat e gjashtë anëtarëve të këshillit u ndanë në një mënyrë të çuditshme, duke dërguar katër propozime tek kryeprokurorja, kur vetëm një kandidat mund të emërohet. Këshilli i dha 2 vota prokurorit të Fierit Altin Binaj, 2 vota prokurorit të Durrësit Ardian Ylli, një votë prokurorit të Krimeve të Rënda Adnand Xholi dhe një votë, prokurorit të Shkodrës Përparim Kulluri. Ina Rama mësohet se ende nuk ka dërguar në Presidencë ndonjërin prej këtyre emrave. tr.so

“Durrësi drejtohet nga zv/prokurorja”
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme tha dje se nuk ka bllokim në punën e Prokurorisë së Durrësit. Sipas organit qendror të akuzës, mësohet se Prokuroria e Durrësit pas mbarimit të mandatit 4-mujor të drejtuesit të komanduar, ka si kryesuese të institucionit, zv/prokuroren e emëruar në mënyrë të rregullt kohë më parë. “Aktualisht, Prokuroria e Durrësit drejtohet nga zv/prokurorja Elena Bakëllbashi”, tha organi qendror i akuzës. Sipas burimeve të këtij institucioni, drejtimi i prokurorisë dhe përfaqësimi i saj nga zv/prokurori i rrethit në mardhënie me të tretët është ligjor në mungesë të kryeprokurorit të rrethit. t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›