E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Ekonomisë nis debatin për ligjin e ri të sektorit minerar



Lehtësim të procedurave të lejemarrjes, përcaktim të qartë të rolit të shtetit si promovues i pasurive minerare nëpërmjet rivlerësimit të pasurive natyrore të vendit, zgjerim të autoritetit të qeverisjes vendore. Këto janë disa nga elementët e rinj që përfshin drafti i projektligjit “Për sektorin Minerar”. Gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e pushtetit lokal të zonave minerare në vend, zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, dha detaje më të hollësishme rreth këtij drafti. “Qëllimi i këtij projektligji është nxitja e veprimtarisë minerare në Shqipëri, nëpërmjet sigurimit të transparencës dhe konkurrencës së lirë, zhvillimin e kësaj veprimtarie, maksimizimin e përfitimit publik dhe garantimin e mjedisit dhe qytetarëve nga rreziku minerar. Objekti i tij janë rregullat për zhvillimin e veprimtarive minerare dhe post minerare në Republikën e Shqipërisë”, tha Alibali. Ai vuri në dukje se ky ligj është hartuar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë disa direktiva të tij por sigurisht që ka elementë të ligjit të vjetër, ekzistues të 2004 për sektorin minerar. Risi të këtij ligji janë konsideruar futja e konceptit të planifikimit strategjik minerar, e konceptit të pronësisë përtej detit territorial, parashikimi i rentës minerare, kadastrës dhe regjistrit minerar. Një shpjegim nen për nen të këtij projektligji e bëri Sokol Mati, Drejtor i Politikave Industriale. “Ligji përbëhet nga 11 kapituj, së bashku me aneksin e listës së grupeve të mineraleve dhe përfshin të gjithë elementët e nevojshëm që grupi i punës ka parë të arsyeshme, ndërkohë që presim edhe propozimet e palëve të interesit”, u shpreh Mati. Ai theksoi se ky draft fut konceptin e ri të strategjisë minerare, duke pasur parasysh marrjen e masave për “one stop shop”. “Në bazë të këtij ligji përcaktohen rregulla të reja për zhvillimin e planeve apo lejeve të zhvillimit, të investimit, monitorimit dhe zbulimit”, tha Sokol Mati. Përfaqësuesit e pushtetit lokal të zonave minerare ngritën shqetësimet e tyre rreth këtij projektligji, përsa i përket aspektit të çmimit të lejes së shfrytëzimit. Sipas përfaqësuesit të Elbasanit, duhet që të shihet më me kujdes tarifa e vendosur e cila është modeste prej 264 mijë lekë të vjetra. Po kështu pyetje ka pasur edhe rreth licencimeve. Në këtë pikë shpjegimet i ka dhënë zëvendësministri Neritan Alibali, i cili shpjegoi se tashmë lejet e minierave i jep Qendra Kombëtare e Licencimit. Diskutimi është lënë i hapur për propozimet e mëtejshme të palëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›