Borxhi, “refuzohet” kërkesa e bankave dhe individëve
nertila maho
Qeveria ka refuzuar një pjesë të kërkesës së bankave të nivelit të dytë për të blerë borxhin. Në njoftimin e djeshëm të bankës së Shqipërisë, e cila është tregtuesja e bonove të thesarit, tregohet se nga kërkesa e bankave të nivelit të dytë është pranuar vetëm 95.66 për qind. E thënë ndryshe, kërkesa për borxh e Qeverisë ka qenë më e vogël se sa oferta e bankave. Në ankandin e dy javëve më parë, edhe kërkesa e individëve, të cilët marrin pjesë në ankand, nuk u pranua 100 për qind, por vetëm 84 për qind. Në ankandin e fundit, nga 40 kërkesa konkurruese, pra të bankave, u pranuan vetëm 26 kërkesa. Një situatë e tillë është parë edhe në vitin 2006-2007, kur kërkesa e Qeverisë për borxh ka qenë më e vogël se sa oferta e bankave dhe individëve. Në fakt, duhet theksuar se një amendim i marrëveshjes mes ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, ka ndryshuar përqindjen e ofertës së bonove. Kështu në ankand 50 për qind e bonove i ofrohen individëve dhe 50 për qind bankave të nivelit të dytë. Ky ndryshim ka të bëjë më shumë me interesin e borxhit. Bankat blejnë borxhin në bazë të interesit konkurrues, ndërsa individët në bazë të interesit mesatar. Në këtë mënyrë, borxhi ndaj individëve është edhe më i lirë. Kjo është një ndër arsyet pse u ndryshua marrëveshja dhe gjysma e borxhit u ofrua për individët. Por nga ana tjetër, kjo ofertë e ministrisë së Financave ka sjellë edhe ndryshimin e destinacionit të kursimeve, nga bankat e nivelit të dytë te borxhi i qeverisë. Në një ekonomi, nuk është fort e pëlqyeshme që kursimet e qytetarëve të shkojnë për të financuar borxhin dhe jo në depozitat e bankave. Sidoqoftë, kjo lloj konkurrence dhe ulja e kërkesës për borxh, ka sjellë edhe një efekt tjetër. Norma e interesit të bonove të thesarit po pëson një ulje të vazhdueshme. Norma mesatare e interesit të bonove 12 mujore arriti në ankandin e djeshëm në 8.55 nga 8.72 që ishte në ankandin paraardhës. Sipas ekonomistëve, ulja e interesit ka ardhur nga ulja e kërkesës së Qeverisë për borxh dhe nga oferta e re që ka bërë ministria e Financave për të zëvendësuar borxhin e brendshëm me eurobonde. Duke qenë se pritet që brenda majit Qeveria të firmosë shitjen e eurobondit mbi 300 milionë euro, atëherë edhe kërkesa për para në këtë periudha paraprake është më e vogël. Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë, po mundohen të bëhen më konkurruese në krahasim me ofertën e huaj, duke ulur normat e interesit. Ulja e normave të interesit për bonot e thesarit ka një ndikim direkt në uljen e normës së interesit për depozitat e qytetarëve por edhe në uljen e normës së interesit për kreditë.