E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana Bank,13.4 milionë euro fitim



Gjatë analizës vjetore të 2009-ës, Banka e Tiranës ka vënë në pah performancën pozitive të saj në sistemin bankar shqiptar në përgjithësi. Në shifra ky sukses përkthehet me një fitim neto prej 13.4 milionë Euro ose 27% më i lartë, krahasuar me një vit më parë, pavarësisht rritjes me 39% të provigjioneve për kreditë e këqija (5.1mln Euro). Fitimi nga interesi neto ka pësuar një rënie të lehtë, kryesisht nga volumi më i ulët i biznesit, si pasojë e krizës globale dhe gjithashtu ka rritur kostot e fondeve që nuk iu janë dhënë plotësisht huamarrësve. Shpenzimet operative, pavarësisht shpenzimeve të kryera për krijimin e degëve të reja dhe rinovimin e rrjetit ekzistues të degëve tona, janë vetëm 5% më të larta se viti i kaluar. Raporti shpenzime të ardhura është përmirësuar në 42%, krahasuar me 45% një vit më parë. Ajo që vihet re është fakti që kreditë e këqija janë në nivele shumë të ulëta 6.6%, ndërsa 87% e totalit të portofolit të kredisë është i garantuar në para “cash” ose pasuri të patundshme. Sa i përket raportit kredi, depozita është 106%, thuajse i njëjtë me fundin e vitit 2008. Totali i kapitalit shënon 84.7 mln euro ndërsa mjaftueshmëria e kapitalit qëndron në nivele shumë të larta 15.73%. Të gjithë këta elementë të sipërpërmendur krijojnë një bilanc shumë të shëndetshëm për bankën dhe një situatë financiare shumë të mirë. Në përfundim, “Tirana Bank”, pavarësisht krizës ka përmirësuar pozicionin e saj financiar dhe është bërë më e fortë për t’u përballur me sfidat e vitit 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›