“Do i ofroj Murinjos një gotë pas fitores”
Në prag të sfidës së sotme kundër Interit, trajneri i çelsit Karlo Ançeloti ka ritheksuar për mediat se ndeshja e sotme nuk duhet të shikohet si një sfidë personale midis tij dhe Murinjos, por si përballje e dy skuadrave për Ligën e Kampioneve. “është një ndeshje midis çelsit dhe Interit, e jo midis meje dhe Murinjos. Mua nuk më pëlqen ta shikoj në këtë aspekt, pasi janë lojtarët ata që do të përballen në fushë dhe jo ne”, - ka komentuar Ançeloti. Dy trajnerët kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të ftohtë midis tyre, e cila ka filluar që në kohën kur Karlo drejtonte Milanin. Mbi rikthimin e ish-paraardhësit të tij në Londër, italiani është shprehur se e mirëpret dhe shpreson që tifozët t’i dhurojnë një pritje speciale, ndërsa zërave për marrëdhënien e ftohtë të tyre i është i përgjigjur sipas traditës angleze: “Sigurisht që do ta ftoj të konsumojmë një gotë verë së bashku. Në qoftë se ai fiton, atëherë do të jetë një bisedë akoma më e këndshme. Kjo është ajo që do të ndodhë, pavarësisht rezultatit. Ndonëse ende nuk e kam menduar çfarë shishe vere do të marr me vete”. Për sa i përket humbjes së fundit të Interit me Katanian, Ançeloti ka theksuar se nuk mendon aspak që zikaltrit po kalojnë një periudhë të keqe dhe se ekipi i tij është përgatitur njësoj sikur italianët të ishin në formën e tyre më të mirë. Ndërsa për disavantishin në gola ka komentuar: “I kam kërkuar lojtarëve të mos mundohen medoemos të sulmojnë që në minutat e para të ndeshjes. Sepse e rëndësishme është që jo vetëm të sulmojmë, por edhe të mbrohemi. Për të shënuar ekipi do të ketë edhe shumë minuta përpara, prandaj e rëndësishme është që fillimisht të tregohemi të përqendruar. E di që do të jetë një ndeshje e vështirë kundrejt një skuadre të shkëlqyer si Interi, por mendoj se kemi mundësi të rikuperojmë dhe përmbysim rezultatin e ndeshjes së parë. Atmosfera është e mirë këtu, ndaj shpresojmë që të na shërbejë si lojtari i 12-të. Nuk mendojmë se ka arsye për t’u shqetësuar. Futbollistët duhet të jenë të përqendruar dhe të kenë besim te vetja. Në këtë mënyrë mund të jemi ne ata që do të kalojmë në raundin tjetër”. Për sa i përket ndikimit që mund të ketë përballja me ish-trajnerin e tyre tek lojtarët e çelsit, Ançeloti ka thënë: “Jam i sigurt që lojtarët nuk do të shpërqendrohen aspak nga ky fakt. Ata e respektojnë punën e tij, megjithatë kjo nuk i pengon që të japin më të mirën në fushë”.