E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Portugalia së shpejti firmos Shqipërinë në NATO



Portugalia premton ratifikimin e shpejtë të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe mbështet aplikimin e saj për statusin kandidat në BE. Kjo iu bë e ditur ministrit të Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, gjatë një vizite pune në Portugali, ku u prit nga homologu i tij, z. Luis Amado. Ministri Basha e informoi ministrin Amado për zhvillimet në raport me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave, duke kërkuar mbështetjen e Portugalisë për fazat e reja të marrëdhënieve BE-Shqipëri. Marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Portugalisë, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillimet rajonale dhe ato globale si dhe bashkëpunimi shumëpalësh ishin temat kryesore të bisedimeve mes dy homologëve. Gjatë takimit ministri Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve në Shqipëri, duke u ndalur në konsolidimin e reformave ekonomike dhe politike dhe hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të vendit. Duke falënderuar Portugalinë për mbështetjen që i ka ofruar Shqipërisë në objektivat e saj euroatlantike, ministri Basha shprehu bindjen se ratifikimi i shpejtë i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Portugalia do të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Me tej, ministri Basha e informoi homologun portugez se qeveria shqiptare ka përfunduar procedurat për hapjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Lisbonë dhe së shpejti pritet emërimi i ambasadorit. Ministri i Jashtëm portugez, Luis Amado, pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe frymën e bashkëpunimit reciprok në planin dypalësh dhe shumëpalësh, e informoi ministrin Basha se Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentin portugez mori dje në shqyrtim dhe miratoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i cili do t’i përcillet brenda një kohe shumë të shkurtër Parlamentit portugez për ratifikim në seancë plenare. Duke shprehur vlerësimin e tij për reformat e guximshme dhe ndryshimet pozitive në Shqipëri, z. Amado shprehu mbështetjen e plotë të Portugalisë për ecjen përpara në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Po kështu, gjatë takimit u dha mbështetje e plotë për procesin e liberalizimit të vizave në funksion të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen. Homologët biseduan gjithashtu për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik si dhe diskutuan gjerësisht mbi zhvillimet rajonale dhe globale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›