E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Pa titujt e pronave nuk ka integrim



Lëvizja Socialiste për Integrim iu bashkua dje deklaratës së ambasadorit Bosh për pronat se pa zgjidhur këtë çështje nuk ka integrim në BE. Kreu i KDK-së në këtë partie, Edmond Haxhinasto, tha se tanimë për këtë shqetësim është shprehur edhe Bashkimi Evropian, duke e trajtuar atë me të drejtë si një kusht për integrimin e mëtejshëm të vendit në BE. “Dështimi i qeverisë “Berisha” në zgjidhjen e problemit të pronësisë është dështimi më i rëndë i kësaj qeverie në politikat e saj zhvillimore, pasi zgjidhja e kësaj çështjeje kushtëzon gjithë politikat e tjera sektoriale, zhvillimin e bujqësisë, turizmin, infrastrukturën dhe veçanërisht kushtëzon tërheqjen e investimeve të huaja”, - tha Haxhinasto. Sipas tij, pavarësisht asistencës në projekte strategjive të shumta në këtë sektor, që kanë angazhuar partnerë ndërkombëtare e agjenci të specializuara, Bankën Botërore, USAID-in, misionin Euralius etj., qeveria “Berisha” nuk ka një vizion e një strategji të integruar që t’i japë përfundimisht zgjidhje kësaj çështjeje në Shqipëri, që të kthejë pronën tek pronari dhe të çlirojë në qarkullimin ekonomik milionat e ngurtësuara në çështje pronësore të pazgjidhura. Ai bëri të ditur se për LSI-në zgjidhja dhe konsolidimi i çështjes së pronësisë në Shqipëri është prioritet i programit të saj qeverisës, pasi zgjidhja e saj është jo vetëm çështje e të drejtave themelore të qytetarëve, por edhe përcaktuesi kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Ulqini: Qeveria t’u japë zgjidhje studentëve

Partia Socialiste bëri të ditur dje se do të kërkojë interpelancë me ministrin Beja lidhur me studentët që kanë mbaruar arsimin e lartë 3-vjeçar. Deputeti i kësaj partie, Ulqini, shprehu mbështetje për kërkesat e studentëve që mbaruan sistemin trevjeçar të studimeve. “Ministria e Arsimit, përgjegjëse për të zgjidhur edhe problematikën universitare, pasi ka shkaktuar një revoltë studentore lidhur me zhvleftësimin total të diplomave, nuk angazhohet të zgjidhë problemin, por i nxjerr studentët nga auditorët në rrugë”, - tha Ulqini. Sipas Partisë Socialiste, arsimi është dhe do të mbetet një ndër problemet kryesore, më shqetësuese i cili kërkon zgjidhje të menjëhershme. “Nëse kemi tre vjet që shpërndajmë me bollëk “diplomat e papunësisë”, me zhvleftësimin e fundit që po u bëjmë atyre, kemi nisur procesin e ri të shpërndarjes së “diplomave të varfërisë”, - është shprehur Ulqini. Sipas tij, është e pafalshme që zëvendëskryeministri aktual, në rolin e ish-ministrit të Arsimit, shkaktar i gjithë këtij akti të zhvleftësimit të diplomave, nuk angazhohet të zgjidhë problemin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›