E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subashi zgjidhet nënkryetare e KQZ-së



Dëshira Subashi është nënkryetarja e KQZ-së së re. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi dje mbledhjen e parë pas riformatimit të këtij institucioni, ku zgjodhi edhe nënkryetaren e tij. Në garë ndodheshin dy anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste, Dëshira Subashi dhe Artan Laze. Në votim, Subashi mori 5 vota, nga 2 vota që mori Laze, duke u shpallur kështu nënkryetarja e KQZ-së. Pas emërimit në këtë detyrë, ajo tha se së bashku me kryetarin e ri do të bëjnë çmos që zgjedhjet e qershorit të jenë tërësisht të lira dhe të ndershme. “Unë shpresoj që bashkë me zotin Ristani të kemi një institucion që t’i japë një herë e mirë fund kontestimit të zbatimit të ligjit dhe të vendimeve të KQZ-së”, - u shpreh Subashi. Gjatë mbledhjes së parë të KQZ-së, u diskutuan problematikat e reja që kanë lindur si detyrime nga Kodi i ri Zgjedhor. Një nga ato është edhe letërnjoftimi i ri. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, u shpreh optimist për procesin e ri zgjedhor. “Shpresoj që procesi i pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit mendoj që do të shkojë mirë dhe do të jetë ndihmë në të gjithë perspektiven e zgjedhjeve. Në këtë kontekst, uroj që nuk do të jemi më skeptikë dhe do të heqim nga vetja çdo paragjykim në mënyrë që t’ia dalim mbanë dhe të organizojmë përfundimisht zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestuara”, - tha kryetari i ri i KQZ-së, Arben Ristani.

PD: Rama la Tiranën pa buxhet

PD-ja e quan të pavotuar buxhetin e Tiranës dhe e denoncon kryebashkiakun Edi Rama për sjellje arrogante. Në gjykimin e demokratëve Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka buxhet. Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, akuzoi se "Tirana, qyteti më i madh i Shqipërisë dhe kryeqyteti i saj, është qyteti i vetëm evropian dhe i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka buxhet". Sipas tij, buxheti nuk u votua sepse kryetari i bashkisë, me arrogancën e tij, nuk pranoi ndryshimet, duke e lënë qytetin pa buxhet. Shfaqja e radhës në Këshillin Bashkiak tregoi një politikë të vjetruar dhe jo një politikë të re, siç pretendon z. Rama. Bogdani vuri në dukje se "Rama u bëri të qartë jo vetëm qytetarëve të Tiranës që po ndiqnin mbledhjen e Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit, por të gjithë qytetarëve të Shqipërisë politikën e pëlqyer prej tij, alla staliniste, "ju votoni dhe unë numëroj". "Kryetari i bashkisë gjatë procesit të numërimit u transformua në një sekretar të rëndomtë Këshilli Bashkiak, duke numëruar votat e këshilltarëve", - tha Bogdani. Ai kërkoi që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, Rama të qetësohet, të reflektojë dhe të marrë parasysh sugjerimet e këshilltarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›