E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, tkurret PS-ja, Memushi, kandidat i LSI-së



Në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare të 28 qershorit, PS-ja e Edi Ramës pëson një tjetër tkurrje. Këtë radhë bëhet fjalë për ikjen zyrtare të një prej politikanëve të vjetër socialistë, atë të deputetit Luan Memushi. Ai largohet përfundimisht nga grupi parlamentar i PS-së për t’iu bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Madje Memushi do të kandidojë nën logon e kësaj partie në qarkun e Gjirokastrës. Memushi është distancuar më herët nga lidershipi aktual i PS-së dhe marrëdhëniet e tij me këtë parti kanë qenë të ftohta dhe indiferente. Por në prag të nisjes së përgatitjeve të fushatës elektorale, Memushi ka vendosur të bëjë lëvizjen e fundit për të siguruar edhe të ardhmen e tij politike tashmë nën siglën e LSI-së. Mësohet se Memushi do të kandidojë në emër të LSI-së në Gjirokastër dhe shumë shpejt do të bëhet prezantimi i tij zyrtar. PS-ja në katër vjet opozitë, e ka vuajtur shpesh largimin e deputetëve që nisi me Tom Doshin duke vazhduar me përjashtimin e 6 deputetëve që votuan pro kandidatit për President në qershor të 2007-s. Memushi e ka kundërshtuar Ramën qysh në fillim të ardhjes së tij në parti, mandej për ndryshimet kushtetuese e duke e mbyllur me Kodin Zgjedhor. Por largimi i tij drejt LSI-së për të kandiduar nën logon e saj mund të shënojë nisjen e një procesi largimesh të figurave të tjera të grupit parlamentar që nuk e shohin veten në listat e kandidatëve për deputetë qysh në këto momente për të vijuar pastaj me përplasjet që mund të krijohen pas shpalljes së tyre. Memushi duket se i ka paraprirë një fenomeni të tij duke e shpjeguar më mirë largimin e tij bazuar tek qëndrimet ndaj lidershipit socialist. Vetë kryetari i socialistëve, Edi Rama, në një prononcim publik e ka pranuar se listat zyrtare të PS-së për kandidatë do të publikohen 45 ditë par zhvillimit të zgjedhjeve ose 15 ditë para fillimit të fushatës. Në këtë moment selia rozë është përfshirë nga heshtja dhe nuk ka zëra kundër as ndonjë lëvizje politike të ndonjë figure të saj. Dëshira për t’u rikonfirmuar në listat e kandidatëve ka çuar në zero kundërshtitë. Qetësia pritet të prishet me shpalljen e listave dhe në atë moment, të përjashtuarve u mbetet ose të punojnë për hir të interesave partiake duke lënë mënjanë ato personale, ose të kundërshtojnë dhe të nxitojnë të futen në listat e ndonjë tjetër partie të së majtës. Nëse zgjedhin këtë të fundit, kryetari i kësaj partie, do të ketë një arsye të fortë për t’u mbrojtur. Largimi i tyre është për shkak të interesave personale dhe jo parimore. Ndërsa Memushi është distancuar nga Rama dhe lidershipi aktual i PS-së që kur u votuan ndryshimet në Kushtetutë, u deklarua kundër Kodit Zgjedhor dhe ishte i vetmi deputet i PS-së që kritikoi ashpër qëndrimin e PS-së kundrejt grevës së urisë së 9 deputetëve të Parlamentit.

Të larguarit

Tom Doshi

Taulant Dedja

Paulin Sterkaj

Hamit Kosta

Durim Lamaj

Durim Hushi

Bukurosh Stafa

I riardhur

Tom Doshi

Të ardhur nga partitë e tjera

Pilo Keri

Piro Lutaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›