E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Shqipëria kërkon ndihmën e Spanjës



Shqipëria kërkon mbështetjen e Spanjës për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në vendet e BE-së. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, mori pjesë në Ministerialin e Romës për Reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB, organizuar nga MPJ italian, Franko Fratini, në datat 4 dhe 5 shkurt 2009. Takimi Ministerial i Romës u zhvillua me qëllim promovimin e një diskutimi të gjerë mbi parimet ku duhet të mbështetet reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të identifikuar linjat konkrete të veprimit që do t’i shërbejnë një reforme të përgjithshme dhe paraqitjen e drejtimeve dhe orientimeve politike në procesin e negociatave ndërqeveritare për të siguruar suksesin e tyre. Gjatë këtij aktiviteti, z. Basha pati disa takime me homologët e tij, ku bie në sy takimi me ministrin e Jashtëm spanjoll, Morantino, ku situata në rajon dhe përpjekjet e vendit tonë për anëtarësim në BE ishin temat kryesore të bisedës. "Kërkova mbështetjen e Spanjës për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për procesin e liberalizimit të vizave. Ministri i Jashtëm spanjoll më premtoi mbështetjen e plotë të Spanjës për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, në veçanti për hapat e mëtejshme që Shqipëria pret të hedhë gjatë presidencës çeke e në vazhdim”, - tha z. Basha. Ai shtoi: “Mbetem optimist nga takimet këtu në Romë, se vullneti pozitiv për njohjen të mëtejshme të Republikës së Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar ekziston dhe do të materializohet, do të mishërohet pikërisht me një numër të madh njohjesh në javët dhe muajt që vjen", - u shpreh z. Lulzim Basha. Gjatë takimit në Romë, nga ministri ynë i Jashtëm u bë e ditur se Shqipëria mbështet reformën e Këshillit të Sigurimit që do të çonte drejt një trupe më përfaqësuese të realiteteve të sotme globale, por jo më pak efektive dhe të aftë për të marrë vendime të vështira që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ministeriali i Romës për Reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u organizua nga ministri i Jashtëm, italian Franko Fratini, në datat 4 dhe 5 shkurt 2009. Shqipëria beson se reforma duhet të jetë në përputhje me kartën e OKB-së si dhe pjesë përbërëse e reformës së përgjithshme të sistemit të OKB-së. Në këtë kuadër, ministri Basha nënvizoi parimet kryesore të respektimit të barazisë sovrane të shteteve anëtare, sigurimin e një shpërndarjeje të barabartë gjeografike, forcimin e themeleve demokratike të Këshillit të Sigurimit, konsolidimin e pjesëmarrjes në reformë nëpërmjet konsiderimit të interesave të të gjitha shteteve dhe grupeve rajonale, si dhe mundësi më të mëdha për çdo shtet për të shërbyer në Këshillin e Sigurimit. Gjatë punimeve të Ministerialit, ministri Basha zhvilloi një numër të madh takimesh dhe bisedimesh me homologë dhe kryetarë delegacionesh të pranishëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›