SHBA, Berisha takon Hillari Klintonin
Zgjedhje të lira dhe demokratike dhe jo goditje të kundërshtarit politik përmes ligjit të hapjes së dosjeve. Këto janë dy garancitë që Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i bëri dje të ditura Hillari Klintonit, Sekretares së Shtetit amerikan gjatë takimit të zhvilluar në Departamentin e Shtetit.
“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë demokratike. Ndërsa për ligjin e lustracionit, mund të them se ai nuk do të përdoret kundër kundërshtarëve politike”, - u shpreh z. Berisha. Ai është Kryeministri i parë që takon Sekretaren e re të Shtetit amerikan, Hillari Klinton. Gjatë takimit të tyre u diskutua për zgjedhjet në vend, anëtarësimin në NATO si dhe jashtë vëmendjes së bisedës nuk është lënë edhe ligji i shumëdebatuar i “lustracionit”. Në qendër të bisedimeve ishin zgjedhjet e 28 qershorit ku Kryeministri shqiptar nuk ngurroi t’i bëjë të qartë znj. Klinton se ka mision të vetin zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Klintoni dhe Berisha folën për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zv.ndihmëssekretari i shtetit, Stjuart Xhons, deklaroi pas takimit se Sekretarja Klinton e pyeti Kryeministrin Berisha për ligjin e lustracionit. “Ai siguroi se me ketë ligj nuk do të ketë gjueti shtrigash, por i gjithë procesi do të jetë kushtetues. Ne nuk bëmë sugjerime, por Kryeministri na dha siguri”, - deklaroi Xhons. Sipas tij, çdo qytetar që preket nga ligji, ka të drejtën e ankimimit në 3 shkallët e gjyqësorit si edhe deri në Strasburg. Kryeministri po ashtu theksoi se Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje demokratike në muajin qershor të këtij viti, ndërsa Klintoni kishte shprehur kënaqësinë e saj për ftesën që Shqipëria ka marrë për në NATO. Edhe situata në Afganistan nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së takimit të djeshëm mes Berishës dhe Klintonit. Berisha vuri në dijeni Sekretaren amerikane të Shtetit se Shqipëria është e gatshme për të dërguar trupa shtesë drejt Afganistanit.
Në prononcimin për media, zëvendësndihmësi i Sekretares së Shtetit, Stjuart Xhons, u shpreh:
Z. Xhons: Sekretarja Klinton dhe Kryeministri Berisha patën një takim të shkëlqyer dhe theksuan marrëdhëniet e ngrohta midis dy vendeve.
Kryeministri e falënderoi Sekretaren Klinton për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë gjatë këtyre viteve.
Ndërsa Sekretarja Klinton shprehu entuziazmin e saj për pranimin e Shqipërisë në NATO.
Çështja e ligjit të lustracionit u ngrit në takim, Sekretarja Klinton pyeti për të dhe z. Berisha e siguroi atë se nuk do të ketë një gjueti shtrigash, por do të ndiqen të gjitha proceset kushtetuese dhe qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces. Ne nuk i bëmë ndonjë sugjerim Kryeministrit lidhur me këtë ligj, por ai vetë na dha sigurimet, të cilat ne i mirëpresim.
I pyetur në lidhje me takimin me Sekretaren Klinton, Kryeministri Berisha u shpreh:
Kryeministri Berisha: Ishte një takim i shkëlqyer. Unë rastisa Kryeministri i parë që takonte Sekretaren Klinton dhe shpreha kënaqësinë për këtë moment, sikundër e sigurova Sekretaren se asnjë komb nuk e ka pritur më me kënaqësi emërimin e saj në këtë post, sesa shqiptarët.
Në takim diskutuar dhe konstatuam se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Ishte një rast për mua për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Sekretares Klinton dhe qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e jashtëzakonshme që na dhanë në përpjekjet tona për integrimin në NATO. Sikundër Sekretarja shprehu një vlerësim të rëndësishëm, duke u shprehur se është e impresionuar nga rezultatet e reformave në Shqipëri.
Takimi ishte një rast i shkëlqyer për mua për të siguruar Sekretaren se zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje të lira e të ndershme, për të kërkuar vëzhgues nga qeveria e SHBA-ve dhe vendeve të tjera mike që t’i mbikëqyrin, monitorojnë zgjedhjet për të cilat, së pari, qeveria është e angazhuar të nderojë standardet, por të nderojë dhe miqtë kudo në botë.
Sikundër u trajtua problemi i ligjit të lustracionit, një trajtim shumë i hapur miqësor dhe i sigurova Sekretares së Shtetit dy gjëra: së pari, nuk mund të përdoret dhe nuk do të përdoret për gjueti shtrigash për të përkundër kundërshtarëve politikë. Së dyti, çdo gjë do të zhvillohet sipas rregullave të shtetit ligjor. Këto ishin sigurimet e mia që i dhashë Sekretares në një mirëkuptim të plotë dhe se asnjë lloj zgjidhje përveç zgjidhjeve ligjore nuk mund të imagjinohet në këtë rast. Çdo qytetar, i cili preket nga ky ligj, ka të drejtën e tri shkallëve të sistemit gjyqësor, sikundër edhe të shkojë më Strasburg.
Një temë shumë e rëndësishme që diskutova me Sekretaren ishte Afganistani. I shpreha gatishmërinë që Shqipëria të çojë edhe një kompani shtesë. Presidenti Obama dhe administrata e tij janë të përqendruar në Afganistan. Shqipëria ka atje 225 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë dhe është e gatshme të shkojë në 350.
Një diskutim të gjerë bëmë për problemin e energjisë. E njoha Sekretaren Klinton me situatën e energjisë dhe të gazsjellësve në rajon, domosdoshmërinë e diversifikimit të këtyre burimeve të furnizimit. Sekretarja tregoi një interes të veçantë për këtë çështje dhe e lamë që të ketë së shpejti takime të mëtejshme mbi të gjitha teknikalitetet e tyre.
Mund të them se ishte një takim i shkëlqyer me një mirëkuptim të plotë. Shqiptarët kanë në këtë administratë miq të mëdhenj e të vërtetë.
Zoti Berisha, a do të pranojë Shqipëria njerëz nga baza e Guantanamos dhe a u kërkua ndonjë premtim nga ana e Sekretares së Shtetit?
Kryeministri Berisha: Edhe një vit më parë, ne kemi qenë për mbylljen e atij burgu, i cili u shndërrua në një simbol të asaj që SHBA-të nuk janë. Kontributi që ne dhamë ishte modest, por jemi shumë të kënaqur që e dhamë dhe e përshëndesim vendimin e Presidentit Obama për mbylljen në afatin e duhur të këtij burgu. Absolutisht, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe mund të them se kjo mbyllje është një gjë shumë e mirë.
Blinken: SHBA aleatë të fuqishëm të shqiptarëve
Shqipëria do të gjejë tek administrata e Presidentit amerikan, Barka Obama, miq të mirë dhe aleatë të fuqishëm për proceset integruese. Siguria vjen nga Shtëpia e Bardhë e cila iu bë e ditur dje Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, gjatë takimit që zhvilloi me këshilltarin për Sigurinë Kombëtare i zëvendëspresidentit të SHBA-së, z. Antoni Blinken. Kryeministri Berisha e njohu z. Blinken me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në një vend të sigurt për qytetarët dhe një vend tërheqës për investimet të huaja. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje reformat e qeverisë në fushën ekonomike, krijimin e një klime të favorshme për biznesin, duke përmendur këtu shkurtimin e shpenzimeve administrative, nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit, dixhitalizimin e shërbimeve administrative, si e-government e-taksat etj. Më tej, Kryeministri u ndal në konsensusin mes forcave politike në Shqipëri për zgjedhjet e ardhshme, duke e vënë theksin në përmirësimin e kuadrit ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu z. Blinken me përpjekjet dhe arritjet e qeverisë për krijimin e një infrastrukture moderne zgjedhore për administrimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kryeministri theksoi se ka filluar pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit me pasaportat biometrike, ndërkohë që ka përfunduar hartimi i regjistrit elektronik të shtetasve.
Shtëpia e Bardhë vlerëson “Durrës-Kukës”
Jehona e madhështisë së rrugës kombëtare Durrës-Kukës ka mbërritur deri në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë takimit të djeshëm mes Kryeministrit Berisha dhe këshilltarit për Sigurinë Kombëtare i zëvendëspresidentit të SHBA-së, z. Antoni Blinken u fol dhe për progresin që ka arritur Shqipëria si dhe u ndalën në zhvillimet në Kosovë, rajon dhe proceset integruese të tij. Z. Antoni Blinken, ndër të tjera, vlerësoi rrugën Durrës - Kukës - Morinë si një vepër të madhe të modernizimit të Shqipërisë dhe si shumë të vlefshme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Z. Blinken vuri në dukje se ndihej entuziast për rezultatet dhe sukseset e arritura nga qeveria shqiptare. Ai e vlerësoi procesin e anëtarësimit në NATO si një moment të madh historik dhe theksoi se baza kryesore e këtij anëtarësimi janë standardet e arritura nga qeveria shqiptare. Ai shprehu vlerësimin e lartë për aleancën e madhe të Shqipërisë me SHBA-në, duke e konsideruar vendin tonë një nga miqtë më të mirë të SHBA-së. Gjithashtu, z. Blinken vlerësoi me nota entuziaste suksesin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformat ekonomike etj. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i zëvendëspresidentit të SHBA-së, z. Antoni Blinken, e siguroi Kryeministrin Berisha se administrata e re e Presidentit Obama do të vazhdojë të njëjtën mbështetje dhe vëmendje ndaj vendit tonë dhe siguroi se qeveria shqiptare dhe Shqipëria do të gjejnë tek administrata e re amerikane miq të mirë dhe aleatë të fuqishëm, ndërsa theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të njohin nivele akoma më të larta të bashkëpunimit dhe miqësisë.
Berisha, darkë për politikanët e SHBA-së
Kryeministri Berisha shtroi një darkë për nder të personaliteteve të politikës amerikane dhe të institucioneve të mendimit politik në Uashington dhe zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, në Njuzeum, një nga godinat më moderne, në shëtitoren Pensilvania dhe Nju Strit. Darka u zhvillua si një bashkëbisedim të lirë mes pjesëmarrësve ku u prekën tema të ndryshme, si integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike, çështje të ndryshme të politikës rajonale dhe ndërkombëtare. I ftuar nderi në këtë darkë ishte senatori Riçard Lugar, një nga politikanët më me përvojë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj të proceseve integruese të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare në tërësi. Ndër të ftuarit e tjerë, spikatën zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, znj. Marsi Rajz, ndihmësasistenti i Sekretarit të Shtetit Stjuard Xhonson, zyrtarë të lartë të Pentagonit etj. Gjithashtu, ishin të pranishëm ish-Kryeadministratori i OKB-së në Kosovë, Soren Jesen Petersen, dhe analistë të politikës amerikane nga institucionet më të njohura të mendimit politik në Uashington. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha, pasi i falënderoi zyrtarët e lartë për pjesëmarrjen, i njohu ata me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin në NATO. Ndër të tjera, Kryeministri tha: “Të nderuar shkëlqesi senatorë, të nderuar zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes, të nderuar analistë të politikës amerikane. Është një nder i madh sot për mua t’ju mirëpres dhe t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë darkë. Shqipëria tashmë ecën e sigurt në proceset e saj integruese, në reformat në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, me reformat e saj ekonomike, duke e ndryshuar faqen e Shqipërisë dita-ditës dhe rolin e saj në rajon dhe duke e shndërruar së shpejti në një anëtare të denjë të Aleancës së Atlantikut të Veriut".
Berisha: Klark i dha fund barbarisë millosheviçiane
Gjenerali Uezli Klark vlerëson reformat e qeverisë së kryesuar nga Kryeministri Berisha dhe shpreh bindjen për rrugën e sigurt të Shqipërisë në NATO. Në Uashington Berisha takoi dje gjeneralin Uezli Klark. Në këtë takim të ngrohtë dhe tepër miqësor, Kryeministri Berisha vlerësoi figurën e gjeneralit Klark për ndihmën e madhe dhe rolin që ai ka luajtur për dhënien fund të barbarisë së regjimit të Millosheviçit kundër të drejtave të njeriut në Kosovë. “Falë edhe kontributit të z. Klark, - u shpreh Kryeministri Berisha, - Kosova është sot një shtet i lirë dhe i pavarur”. Kryeministri Berisha e njohu gjeneralin Klark me reformat e ndërmarra nga qeveria për integrimin e vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, reforma të cilat bënë të mundur që Shqipëria së shpejti të bëhet një anëtare e denjë e kësaj organizate. Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu zotin Klark me zhvillimet në vend, proceset integruese dhe veçanërisht me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.