E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Prioritet mbrojtja e konsumatorit, penalitete ndaj abuzuesve me çmimet

28-10-2011 / Gazeta 55

Mbrojtja e Konsumatorit - Bashkia e Tiranës nënshkruan marrëveshje me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit

Bashkia e Tiranës nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për të rritur forcën dhe cilësinë e kontrollit të autoriteteve në drejtim të respektimit të standardeve të produkteve dhe të të drejtave të konsumatorit në Tiranë. Dy institucionet nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit për Monitorimin e Sigurisë së Ushqimit si dhe ushtrimin e detyrave, për kontrollin e respektimit të normave higjieno – sanitare dhe tekniko – teknologjike, në prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve. Ky Memurandum ka si qëllim angazhimin e ndërsjellë të palëve, në ushtrimin e koordinuar të funksioneve të tyre respektive, sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim monitorimin e sigurisë ushqimore si dhe respektimit të normave higjieno – sanitare dhe tekniko – bioteknologjike, në prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve nga operatorët e biznesit ushqimor, që ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë. Për Bashkinë e Tiranës, marrëveshja u firmos nga nënkryetari z.Edmond Panariti, ndërsa për Ministrinë e Bujqësisë, nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit z.Genc Juka. 
Pas nënshkrimit të memorandumit, kryebashkiaku Lulzim Basha u shpreh se “Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit është një premtim shumë i rëndësishëm i Administratës së Bashkisë, i cili merr shkas nga një situatë e gjatë dhe plot probleme në Tiranë, sa i përket tregjeve, sigurisë ushqimore dhe sa i përket në tërësi, të gjithë parametrave të shërbimit ndaj konsumatorit, duke përfshirë këtu në raste jo të pakta, edhe spekulimin me çmimet”.
“Në ristrukturimin e Bashkisë së Tiranës, një nga veprimet më kryesore ka qenë pikërisht dedikimi i stafit profesional dhe i resurseve të mjaftueshme, për të ngritur dhe bërë operacionale Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit. Kjo është shenja më e qartë, që Bashkia e Tiranës nuk do të mbyllë më sytë para problemeve, që konsumatorët në këtë qytet, banorë të Tiranës apo jo hasin ditë për ditë. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk do të ndërhyjë asnjëherë, në rregullat e tregut të lirë por nuk do të tolerojë askënd që abuzon me cilësinë, çmimin dhe parametrat e tjerë të shërbimit ndaj qytetarëve të Tiranës, duke marrë përgjegjësitë tona, siç na takojnë dhe në të njëjtën kohë, ne shtrijmë dorën e bashkëpunimit ndaj autoriteteve qendrore, sepse çelësi i suksesit në këtë fushë dhe në fusha të tjera është një bashkëpunim efektiv me qeverisjen qendrore dhe trupat e kësaj qeverisjeje, agjencitë apo organet e tjera të cilat po kështu kanë resurse, përvojë, ekspertizë dhe kompetencën ligjore, për të vepruar në këtë rast, në mbrojtjen e konsumatorit”- u shpreh Basha. Sipas kryetarit të bashkisë, impakti i bashkëpunimit të përditshëm, i bashkëpunimit thelbësor, i bashkërendimit të veprimtarisë në terren dhe i moslënies së asnjë hapësire për abuzuesit do të jetë nën kujdesin e përditshëm të autoriteteve të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, një përmirësim i dukshëm dhe i prekshëm, në cilësinë e mallrave dhe shërbimit ndaj qytetarëve dhe aty ku haset edhe në goditjen pa asnjë hezitim të spekulimit me çmimet në qytet. “Agjencia, e cila tashmë është në procesin e shpalosjes së saj merr përsipër një mandat jo të lehtë, por jam i bindur se me bashkëpunimin me organet përkatëse të qeverisjes qendrore, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe segmenteve të tjera të mbrojtjes së konsumatorit, në Ministrinë që drejton z.Ruli por edhe bashkëpunimi i gjithë qytetarëve, të cilët do të kenë në dispozicion instrumentet e nevojshme për të raportuar në mënyrë pro-aktive, problemet dhe ankesat e tyre nga njëra anë dhe nga ana tjetër do të kenë nga kjo Agjenci edhe një shërbim të përhershëm të marrjes së opinionit të tyre, mbi aspekte të veçanta të cilësisë së tregut në Tiranë, do të çojë në një përmirësim të dukshëm e të prekshëm të cilësisë së jetës në kryeqytet, cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe do ofrojë shërbimin që qytetarët meritojnë”- tha më tej Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›