Reforma në Drejtësi, Avontis: Përmbarimi në sistem të plotë privat, i sukseshëm në uljen e korrupsionit
Ministria e Drejtësisë ka nisur reformën në sistemin përmbarimor në vend. Kjo do të thote se në fund të vitit 2013 në Shqipëri do të finalizohet sistemi i plotë të përmbaruesve privat dhe përmbarimi shtetëror nuk do të ekzistojë më. Këshilltari Ndërkombëtar për Reformat i ministrit të Drejtësisë, dr. Juris Avontis ka deklaruar se në vendin tonë ky proces po realizohet në mënyrë të zbutur dhe graduale. Gjate një periudhe dy vjecare, Avontis ka studiuar sistemin e dyfishtë që aktualisht ka vendi ynë dhe në analizën e tij shprehet se kthimi i sistemit përmbarimor vetëm në privat ka 3 përfitime kryesore. “Përfitimi kryesor është racionalizimi i buxhetit të shtetit, sepse i gjithë buxheti që shkonte për funksionimin e përmbarimit shtetëror tani do të ngelet në buxhetin e shtetit, pasi kostoja për zgjidhjen e cështjeve do të shkojë në zero. Përfitimi tjetër është ulja e riskut të korrupsionit në masen 90% dhe përfitimi i tretë është rritja reale e efektivitetit të përmbarimit në mbledhjen e borxheve të sektorëve por edhe në ekzekutimin e urdhrave të gjykatës”- u shpreh Avontis. Sipas tij, 2 vite më parë kostoja në vendin tonë ka qenë 20 herë më i lartë se në vendet e tjera europiane dhe ngarkesa e punës ishte 15 herë më e vogël. Ndërsa me futjen e përmbarimit privat në Shqipëri kjo kosto jo vetëm ka ardhur duke u ulur por edhe zbatueshmëria e urdhrave nga gjykatat ka qenë më e lartë. Këshilltari Ndërkombëtar për reformat i Ministrit të Drejtësisë thotë se për suksesin e këtij procesi ka tre elementë bazë për të cilët përmbarimi privat ka nevojë. “2-3 vitet e para janë shumë të vështira ndaj dhe shteti duhet të ndihmojë përmbaruesit: me trajnimet profesionale të vazhdueshme të specialistëve në rritjen e tyre profesionale, me një bazë të dhënash të sofistikuara dhe me ngritjen e instrumentëve efektivë për mbledhjen e e borxheve. Ne si ministri këto dy vite po monitorojmë sistemin e dyfishtë. Kjo periudhë është shumë e rëndësishme për dy tipet e specialistëve. Përmbaruesit privatë duhet të tregojnë efektivitet të lartë në sasinë e madhe të borxheve të mbledhura dhe shpenzime zero nga buxheti i shtetit, ndërsa përmbaruesit shtetëror duhet të tregojnë konkurrencë me kolegët privatë dhe të përgatiten për kandidatura të reja për vendet e paplotësuara”- tha më tej ai. Përvoja botërore e vendeve të zhvilluara ka treguar se kalimi i sistemit të dyfishtë përmbarim shtetëror - përmbarim privat në sistem të plotë privat është i suksesshëm në uljen e korrupsionit, por edhe në kursimin e buxhetit të shtetit, dy prioritet të qeverisë shqiptare.
...