E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Qeraja për Sejdinin, gjoba e tregtarëve

Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha ka sulmuar kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, që sipas tij abuzon në kurriz të tregtarëve të vetëm të paguajnë qiratë e majme, prej të cilave përfiton vetë Qazim Sejdini. Reagimi i Bashës ka marrë shtysë nga ankesa e disa tregtarëve, të cilët ankohen se qiratë e larta në pikat ku shesin po i çojnë drejt falimentit. Sipas Bashës, për përfitimet e tij personale, kryetari i bashkisë së Elbasanit, po abuzon në kurriz të tregtarëve, duke deklaruar se PD do ta ndryshojë shumë shpejt gjendjen. Lëvizja e tregut nga Namazgjau e ka rrënuar biznesin. Mesa duket ka një grusht njerëzish që kanë përfituar nga lëvizja e tregut me në krye kryetarin e bashkisë Qazim Sejdini që është bashkëpronar i këtij tregu dhe njeriu që ka vendosur këto haraçe të rënda mbi supet e biznesit të vogël të Elbasanit. Duket qartë se kemi të bëjmë me një model pak a shumë si modeli i kryetarit të bashkisë së Tiranës. Një model i cili mbledh përfitimet në një grup njerëzish dhe shton taksat për biznesin e vogël. Pasuron vetveten dhe një grup njerëzish dhe varfëron pjesën tjetër të biznesit të vogël. Kjo është një situatë e papranueshme për Partinë Demkratike, tha Basha, duke u premtuar tregtarëve se shumë shpejt do të iniciojë mbledhjen e këshillit bashkiak për zgjidhjen e këtij problemi. Sipas Bashës, së pari duhet të ulë në nivel dysheme qiratë në treg dhe të fillojë menjëherë hulumtimet për krijimin e një tregu alternativ, i cili ta rivendosë tregun në qendër të qytetit dhe parkingjet ti çojë në periferi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›