E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha mashtron shqiptarët për përjashtimin e Shqipërisë nga liberalizimi i vizave

Ministri i Jashtëm përcakton pasaportat biometrike si elementi që nuk fut Shqipërinë në BE, lë mënjanë korrupsionin e qeverisë
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha mashtron për pasaportat biometrike, duke i konsideruar ato si problemin e vetëm teknik për mosarritjen e liberalizmit të vizave në vendin tonë. Ndërsa Maqedonia, e cila edhe pse ende nuk i ka pasaportat biometrike, kërkesa e saj për liberalizimin e vizave mund të plotësohet më shpejt se Shqipëria, pasi ka përmbushur kushtet themelore të vendosura për këtë proces. Nisur nga kjo gjë, vendi ynë nuk ka si problematikë kyçe vetëm pasaportat biometrike, por mosliberalizimi i vizave vjen si shkak i korrupsionit. Janë disa nga kushtet e vëna nga BE, që vendi ynë nuk i ka plotësuar për të arritur lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë. Evropa nga ana e saj kërkon vendim politik të fuqishëm për të futur Shqipërinë në BE, që mesa duket ende nuk është realizuar dhe mban pezull lëvizjen e lirë të shqiptarëve, e cila vazhdimisht ka qenë një nga momentet kryesore të fushatave zgjedhore në Shqipëri. Në një mbledhje të zhvilluar ditën e hënë, ministrat e Jashtëm të BE-së kanë mbështetur procesin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këshilli i Ministrave ka inkurajuar Komisionin Europian që të paraqesë sa më shpejt propozimet në mënyrë që brenda vitit 2009 liberalizimi të realizohet me vendet që do të arrijnë të përmbushin kërkesat deri në fund. Vendet e diskutuar janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Megjithatë, jo të gjitha vendet kanë bërë progresin e nevojshëm. Sipas raportit të Komisionit, Shqipëria dhe Bosnja, me gjithë progresin e bërë, nuk i përmbushin ende objektivat, në asnjë prej katër blloqeve të udhërrëfyesit. Pala shqiptare pritet t'i raportojë Brukselit në tetor për progresin e bërë deri në atë muaj dhe pas vlerësimit, komisioni dhe vendet anëtare do të nisin një ekip ekspertësh për të verifikuar në terren ecurinë për dokumentet e identifikimit e pasaportat, kufijtë, krimin e organizuar e korrupsionin në vend. Në lidhje me këtë, raportim, ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka reaguar ditën e djeshme, duke theksuar se brenda 12 muajve Shqipëria do të liberalizojë vizat me Bashkimin Europian. Këshilli përshëndeti progresin e qartë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në realizimin e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave dhe inkurajoi Komisionin Europian që të paraqesë sa më parë një propozim, me qëllim që në rastin më të mirë, deri nga fundi i vitit 2009, të realizohet një regjim pa viza me ato vende që do të kenë plotësuar të gjitha standardet, tha Basha. Sipas tij, konfirmimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike.
Kushtet e BE
Pesë kushtet e vëna nga ana e BE për liberalizimin e vizave për vendin tonë duket se nuk janë edhe aq të lehta për tu plotësuar e zbatuar nga kjo klasë politike. Veçojmë këtu kushtin e përkthimit në gjuhën anglisht të materialeve të dorëzuar, ku ende ato janë në gjuhën shqipe. Si kusht kryesor qëndron lufta kundër krimit të organizuar, që këtu në Shqipëri kuptohet si një statistikë, ku numri i personave të arrestuar apo bandave e mikrokriminalitetit paraqitet gjithë pompozitet nga krerët e Ministrisë së Brendshme. Nuk ka institucion të rëndësishëm apo edhe më pak të rëndësishëm të këtij vendi, që nuk është përfshirë në akuza për korrupsion. Presioni mbi gjyqësorin, një tjetër sëmundje e demokracisë në rritje në këtë vend. Përgjigjen, për liberalizimin e vizave, do ta merrni në Raportin e Vjeshtës, shprehen burime diplomatike të BE-së. Zgjedhjet e 28 qershorit janë prova. Janë prova se edhe ne dimë të bëjmë zgjedhje normale e demokratike. Në të kundërt do të jenë prova se në Tirane e jashtë saj vepron një tjetër lobing, ai që kërkon të fusë të fundit në BE, Shqipërinë. Një sërë kushtesh të tjera janë edhe siguria e dokumenteve të identifikimit, marrja e masave kundër emigracionit ilegal, rendi publik e siguria në vend si dhe respektimi i të drejtave të njeriut, e në veçanti i fëmijëve.  

******************************************************
Vizat, PS: Dështim i turpshëm i qeverisë
Partia Socialiste ka kritikuar ashpër qeverinë shqiptare për dështimin në heqjen e regjimit të vizave nga Bashkimi Evropian. Në një deklaratë për shtyp, kandidatja për deputete e PS-së, Erisa Spiropali e cilësoi si të turpshëm, dështimin e qeverisë dhe premtoi se me ardhjen e PS-së në pushtet, kufijtë mes Shqipërisë dhe BE-së do të hiqen. Berisha dështoi me vizat dhe BE i vuri vizën Shqipërisë. Është një dështim i turpshëm. PS-ja angazhohet që në vitin e ardhshëm të heqë kufijtë me BE, ndryshe nga veprimet e kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm që është papagalli i tij, ka pohuar Spiropali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›