Topi: Partitë politike, asnjë deklaratë të qartë për reformën në drejtësi
Presidenti Topi u tërhoqi vëmendjen partive politike se gjatë kësaj fushate ata nuk po japin deklarata të qarta për reformën në drejtësi, duke vlerësuar si të rëndësishme faktin se njerëzit kanë nevojë të shikojnë më mënyrë më të dukshme prioritetet e partive politike dhe të koalicioneve. Kreu i shtetit gjatë një interviste dhënë për VOA ka theksuar se fushata e zgjedhjeve parlamentare po zhvillohet normalisht dhe se konkurrentët po arrijnë të shpalosin pikëpamjet e tyre.
Në lidhje me zhvillimin deri në këto momente të fushatës elektorale, kreu i shtetit vlerësoi këto zhvillime duke theksuar se kjo fushatë është një hap përpara. Unë kam shprehur një shqetësim që lidhet me vizionin për drejtësinë. Sigurisht mund të lidhet edhe me momente të tjera, por unë e kam parë në një këndvështrimi specifik për reformat në drejtësi, sepse këto reforma domosdoshmërish kërkojnë konsensus. Kam thënë se pavarësisht se kush do të jetë fituesi, pavarësisht se kush do të jetë humbësi, në thonjëza kjo se në demokraci nuk ka asnjë të humbur, është e detyrueshme që ato të shprehen për një vullnet pozitiv në arritjen e konsensuseve të gjera, sepse kërkohen votime të cilësuara dhe domosdoshmërish është shumë e rëndësishme që reformat në drejtësi të vazhdojnë, nënvizoi ai. Në përfundim të ceremonisë së diplomimit të zonjave pjesëmarrëse në projektin e gruas në qeverisje presidenti Topi ka komentuar me pak fjalë atmosferën e fushatës elektorale, ku sipas tij ajo çka presin të gjithë, është që kjo fushatë të konkludojë në mënyrën më të mirë të mundshme, në parametra mjaft civilë në standarde demokratikë dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me partitë politike që janë në fushatë. Ajo që është më e rëndësishmja është që data 28 qershor të jetë dita e kurorëzimit të fryteve të demokracisë në Shqipëri. Padyshim që kjo fushatë është një arritje e konsiderueshme krahasuar me fushata të tjera zgjedhore. Po zhvillohet përgjithësisht në një klimë të qetë. Njerëzit janë të pranishëm. Kandidatët, me sa kam parë, nuk kanë kontestime të dukshme lidhur me hapësirat e tyre, nënvizoi Topi. Ndër të tjera, ai veçoi se asnjëherë nuk mund të arrihet maksimumi, sepse evoluimi i demokracisë sigurisht do kohën e vet dhe nuk mund të themi që është maksimumi. Por, nisur nga përvoja e tij personale për përfshirjen në politikë dhe fushatë elektorale, kreu i shtetit ka shprehur mendimin e tij se kjo fushatë është një hap përpara.