E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt nga fushata elektorale nëpër rrethe

Basha: Plan i ri investimesh në Bradashesh

Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me banorë të Bradasheshit, të cilëve u prezantoi planin e ri të investimeve në këtë zonë. Basha tha se shumë shpejt banorët e Bradasheshit do të ketë ujë të pijshëm 24 orë, një sistem të ri kanalizimesh dhe një shkollë moderne. 

Basha ka theksuar se qeveria ashtu siç dhe ka vepruar deri më sot, do të shohë me prioritet arsimimin dhe punësimin e të rinjve. Basha tha se pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e ujësjellësit të Bradasheshit, një projekt me vlerë 1.7 miliardë lekë, po kështu do të nis sistemi i rrjetit të kanalizimeve, projekti për asfaltimin dhe ndriçimin me një vlerë prej 2 miliardë lekësh për Katundin e Ri, si dhe ndërtimi i shkollës së re në Bradashesh me një vlerë prej 860 milionë lekë.

Basha ka përsëritur edhe në këtë takim premtimin se brenda vitit të parë të mandatit të dytë, të gjithë qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin pa viza në vendet e Evropës.

Patozi: Arritjet në këto 4 vite, krenaria jonë

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, Astrit Patozi në vijim të turit elektoral, u ndal dje në Sarandë ku evidentoi arritjet më të rëndësishme që PD ka bërë të prekshme për çdo shkollë, nxënës e mësues në të gjithë vendin, ku vetëm kabinete interneti, tha ai, janë 45 herë më shumë në të gjithë Shqipërinë, pasi në filozofinë e qeverisjes demokratike integrimi evropian do të thotë shkollë evropiane.

Patozi ka siguruar se në 4 vitet e ardhshme nuk do të ketë asnjë shkollë pa ngrohje dhe pa internet në Sarandë, përballë harresës 8-vjeçare të arsimit nga kundërshtarët politikë të PD. 

“Ajo që kemi bërë në këto 4 vjet për arsimin, është krenaria jonë”, u është drejtuar arsimtarëve të nënprefekturës së Sarandës, Astrit Patozi, nënkryetar i PDSH dhe kryesues i listës së kandidatëve për deputetë së kësaj partie për qarkun e Vlorës. “Ju jeni elita e Sarandës”, u tha mësuesve të pranishëm në fjalën e vet nënkryetari Patozi. 

Mediu: Ëndrra evropiane, ëndrra jonë e përbashkët

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar me banorët e qytetit të Peshkopisë, deklaroi se “Ëndrra evropiane është ëndrra jonë e përbashkët”. 

Duke iu referuar aspiratës së shqiptarëve për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian kreu i republikan u shpreh se “punuam çdo ditë, çdo muaj e çdo vit, për të ndërtuar standardet për shqiptarët, të cilat bënë të mundur sot anëtarësimin në NATO, dhe anëtarësimin në BE nesër, sepse ëndrra evropiane është ëndrra jonë e përbashkët, ne kemi vetëm një rrugë, Bashkimin Evropian”. 

Duke kërkuar votën e elektoratit të djathtë në parlamentaret e28 qershorit, Mediu tha se “duke votuar koalicionin e djathtë i japim zë prioriteteve të qytetarëve për ta renditur Shqipërinë në vendin që i takon përkrah të gjitha shteteve evropiane”.

Spahia: PLL pjesë e rëndësishme e koalicionit qeverisë

Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka çelur fushatën zgjedhore dhe ka prezantuar dje 13 kandidatët e saj për deputetë të qarkut të Durrësit në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit.

Kryetari i kësaj force politike, Ekrem Spahia duke përshëndetur pjesëmarrësit e shumtë në takimin e organizuar në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar tha se PLL është pjesë e rëndësishme e koalicionit të qendrës së djathtë “Aleanca për Ndryshim” që drejtohet nga kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.

Spahia theksoi se rehabilitimi i të burgosurve politikë si dhe çështja e pronave do të jenë dy problematikat që synon të zgjidhë përfundimisht PLL, duke qenë pjesë e qeverisjes së ardhshme.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›