Mandatin e ardhshëm Shqipëria përkrah vendeve të zhvilluara
Kryeministri Sali Berisha çeli dje fushatën elektorale në Berat, ku arriti të organizojë një miting madhështor në sheshin qendror të qytetit, aty ku supozohet se është bastion i së majtës. Mijëra qytetarë të Beratit pritën me një entuziazëm të jashtëzakonshëm vizitën e kryeministrit Berisha në qytetin e tyre, duke shprehur kështu mirënjohjen e tyre, për të gjithë punën e pa pandalshme të kësaj qeverie në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Kreu i ekzekutivit u zotua para qytetarëve të qytetit historik të Beratit, për të realizuar ambicien e madhe të qeverisë aktuale dhe prioritetin kryesor të programit të ri të Partisë Demokratike, projektin e Shqipërisë Evropiane.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria realizoi reforma të thella dhe ia doli në katër vite, ta vendosë Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike evropiane për dy vite me radhë, me reforma dhe përpjekje të thella nxjerri Shqipërinë të dytën në botë për klimën e biznesit dhe më të mirën në Ballkan dhe në 10 më të mirët në botë në luftën kundër korrupsionit.
Duke iu referuar projektit të Shqipërisë Evropiane, Berisha tha para së gjithash, qytetarët e këtij vendi, të gëzojnë dhe të kenë kushte të njëjta ose përafërsisht të njëjta jo me një, por me disa vende anëtare të BE-së. Në këtë drejtim, kryeministri vlerësoi si jetik ndërtimin e boshtit të jugut.
Kryeministri iu referua dhe programit të qeverisë për vende të reja pune. Sipas kreut të qeverisë Shqipëria ka krijuar të gjitha potencialet edhe për 160 mijë vende të reja pune.
Gjatë fjalës para qytetarëve të Beratit, kryeministri Berisha shigjetoi edhe kryesocialistin Edi Rama, duke e konsideruar atë si zemërthyer për çdo sukses të këtij vendi. Berisha ironizoi Ramën për gjestin e tij të turpshëm, duke bojkotuar garën elektorale për parlamentaret e 28 qershorit.
...