KE: Jemi kundër shtyrjes së zgjedhjeve

Kryeministri Sali Berisha takoi sot një delegacion të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i ngarkuar me vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Anëtarët e komisionit, të kryesuar nga parlamentarja holandeze Corien Jonker, shprehën falënderimin për pritjen e ngrohtë dhe informuan se një delegacion prej 20 parlamentarësh do të vijë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet.
Kryeministri shprehu rëndësinë themelore që kanë zgjedhjet e këtij muaji për Shqipërinë në integrimin europian të vendit. Ai informoi mbi përpjekjet që po bën qeveria, përkrah administratës zgjedhore, për arritjen e standardeve më të mira në zgjedhjet e 28 qershorit.
Kryeministri Berisha, në përgjigje të interesit të anëtarëve të delegacionit , i informoi ata në lidhje me arritjet e reformës zgjedhore konsensuale, e cila reformoi rrënjësisht sistemin zgjedhor, rriti besueshmërinë e administratës zgjedhore, adaptoi standardet më të mira të Këshillit të Evropës mbi transparencën e financimit të fushatës zgjedhore, rriti transparencën dhe efikasitetin e procesit të numërimit, etj..
Në lidhje me pajisjen e shtetasve me letërnjoftime elektronike, pasi nënvizoi reformën e suksesshme që solli modernizimin e shërbimit të gjendjes civile, Kryeministri theksoi punën e shkëlqyer të kryer nga konsorciumi konçensionar që po prodhon dokumentet biometrikë të identitetit, i cili ka vënë në dispozicion të procesit në të gjithë vendin mbi 500 poste aplikimi me kapacitet mëse te mjaftueshëm për përballimin e plotë të kërkesave. Kryeministri informoi se sistemi i aplikimit është shfrytëzuar vetëm me një të tretën e kapacitetit ditor që disponon dhe se qeveria shqiptare ka mundësuar plotësisht për të gjithë shtetasit pa pasaporta që të pajisen me letërnjoftim, kundrejt jo më shumë se 200 lekësh, në rast se aplikojnë para zgjedhjeve parlamentare. Si rrjedhojë, kanë aplikuar rreth 1.250.000 shtetas, prej të cilëve rreth 750.000 i kanë marrë tashmë letërnjoftimet, ndërkohë që ritmi i aplikimeve dhe shpërndarjes së dokumenteve vjen gjithnjë në rritje.
Kryeministri konstatoi se përkundër thirrjeve të vazhdueshme të qeverisë që shtetasit të pajisen me letërnjoftim, opozita ka dhënë pa sukses mesazhe shkurajuese që nuk kanë mundur të cenojnë suksesin e procesit dhe shprehu vendosmërinë për zhvillimin e zgjedhjeve në afatin e tyre kushtetues.
Në mbyllje të takimit, pasi siguroi delegacionin për një proces të standardeve më të mira demokratike, Kryeministri shprehu edhe një here kënaqësinë dhe mirëpritjen për pjesëmarrjen në zgjedhje të misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Takimi me ministrin Nishani
Kryesuesja e delegacionit të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e ngarkuar për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Corien Jonker deklaroi për mediat se "opozita të mos bëjë lojë politike për kartat e identitetit, por të inkurajojë njerëzit të pajisen me to". Pas një takimi pasditen e sotme me Ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, delegacioni i Këshillit të Europës, gjatë një deklarimi për mediat bëri disa vlerësime për situatën parazgjedhore në Shqipëri, ku u ndal veçanërisht tek çështja e debatuar e kartave të identitetit, që do të përdoren në zgjedhjet e qershorit. Parlamentarja europiane tha se "qeveria ka përgjegjësinë kryesore në pajisjen e qytetarëve me karta, por ne shpresojmë që dhe partitë politike, sidomos ato të opozitës të mos bëjnë thjesht një lojë politike, por të jenë edhe ato pozitive në gjithë këtë proces, duke inkurajuar njerëzit të marrin kartat, në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë demokratik". Në këtë drejtim vërejti Jonker qeveria duhet të jetë shumë transparente për të gjitha informacionet që kërkohen. "Qeveria ka përgjegjësinë që çdo person që do të votojë të ketë mundësinë të aplikojë dhe të marrë kartën e identitetit. E vërteta është se jo të gjithë personat që nuk kanë pasaportë kanë pasur mundësinë të aplikojnë dhe po ashtu, edhe ata që kanë pasur mundësinë të aplikojnë, nuk do të thotë që e kanë tashmë kartën e identitetit", tha parlamentarja europiane. Sipas Jonker, tashmë që kanë mbetur vetëm tre javë deri në ditën e zgjedhjeve përgjegjësia e qeverisë është shumë e madhe që gjithë personat që duan të votojnë, të kenë kartë. E pyetur për idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, kryesuesja e delegacionit të KE-së tha se "kjo mundësi është hedhur nga disa aktorë, por ajo nuk është absolutisht në interes të Shqipërisë dhe nuk do të ndihmonte në funksionimin e sistemit, pasi ka pasur kohë të mjaftueshme për funksionimin e mirë të tij". Vizita e sotme e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, do të pasohet me një mision tjetër monitorimi në Shqipëri, në ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor.
Takimi me Lulzim Bashën
"Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare", garantoi të premten ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në një takim me delegacionin parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Zyra e Shtypit e MPJ-së bëri të ditur, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se "delegacioni, i kryesuar nga deputetja e Vendeve të Ulëta, znj. Corien Jonker, po viziton Shqipërinë në përgjigje të ftesës që Qeveria shqiptare i ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit". Gjatë takimit, ministri Basha bëri një ekspoze të gjerë të reformës elektorale, masave të marra nga Qeveria e Shqipërisë për përfundimin e infrastrukturës së nevojshme zgjedhore, si dhe të ecurisë së procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike.