Basha: Rrisni luftën ndaj krimit të vogël në Tiranë
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, kërkon nga drejtuesit e policisë së Tiranës më shumë zbulueshmëri për krimin e rrugës. Këtë kërkesë e ka bërë dje gjatë një takimi me gjithë shefat e komisariateve të kryeqytetit, të cilët i ka përgëzuar edhe për punën e mirë të kryer gjatë këtyre ditëve të protestës së Partisë Socialiste. Takimi është zhvilluar rreth drekës, ku fillimisht, Basha ka përgëzuar drejtuesit e policisë për ruajtjen e rendit dhe mbarëvajtjen e protestës së zhvilluar për tri ditë para Kryeministrisë. Më pas, ai ka vënë në dukje disa probleme, për të cilat ka kërkuar më shumë impenjim. Sipas tij, një shqetësim për kryeqytetin mbetet krimi i vogël, kështu që është kërkuar një rritje e performancës së policisë kryeqytetase përballë këtij problemi. Gjithashtu, ai ka kërkuar vëmendje edhe për aksidentet rrugore, ku këtë vit janë shënuar shifra alarmante. Por, nuk ka harruar të përmendë edhe suksesin ndaj krimit të organizuar, duke përmendur rastin e dy ditëve më parë, ku nga policia e kryeqytetit u bllokua një sasi e konsiderueshme heroine. Në takim, edhe drejtuesit e komisariateve të Tiranës kanë shfaqur mendimet e tyre për rritjen e luftës kundër krimeve të vogla, si dhe kanë bërë analizat përkatëse për ministrin e Brendshëm. Gjatë periudhës janar - shtator 2009 në Qarkun e Tiranës janë evidentuar 3893 vepra penale dhe zbuluar 3184 prej tyre, ose 82% e tyre. Sektori kundër krimit të organizuar ka evidentuar 189 vepra penale, ku janë implikuar dhe proceduar penalisht 221 autorë, nga të cilët 109 janë arrestuar në flagrancë dhe 101 ndiqen në gjendje të lirë. Ndërsa në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 1072 vepra penale dhe zbuluar 452 prej tyre ose 42%. Në to janë implikuar dhe proceduar 666 persona nga të cilët, 316 arrestuar, 258 ndiqen në gjendje të lirë dhe 92 të shpallur në kërkim.
Ble. Gi.
Ble. Gi.