Kriza politike, PS nis lobimin ndërkombëtar
Ultimatumi 10-ditor i vendosur për qeverinë do t‘i shërbejë Partisë Socialiste si kohë e mjaftueshme për të zgjeruar mbështetjen ndërkombëtare. Burimet nga selia rozë sqaruan për gazetën "Shqip" se këto ditë, funksionarë të partisë kryesore të opozitës do të zhvillojnë takime jashtë vendit. Misioni kryesor është "lobimi" për të garantuar një mbështetje ndaj kauzës së tyre për hapjen e kutive të votimit. Deri më tani, ndërkombëtarët në deklaratat e tyre publike janë shprehur kundër bojkotit të Kuvendit dhe i kanë bërë thirrje socialistëve t‘i japin fund atij. Pas protestës treditore që filloi më 20 nëntor, duket se opozita ka një arsye më shumë për të kërkuar një reagim ndërkombëtar. Një gur jo pak i rëndësishëm në themelet që duan të krijojnë socialistët është Spanja. Ky shtet pritet të marrë drejtimin e Presidencës së Bashkimit Europian në janar të vitit 2010. Fakti se aty qeverisin forcat e majta krijon premisa që zëri opozitar të jetë edhe më i preferueshëm nga Presidenca e BE-së sa i takon qëndrimit të saj për zhvillimet në Shqipëri. Edi Rama ka deklaruar se afati që Berisha ka në dispozicion për të hapur kutitë është 10 ditë. Në përfundim të tij qëndrimi do të përshkallëzohet dhe do të ndalojë vetëm kur në vend të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Që prej protestës së datës 20 nëntor, asnjë prej ambasadorëve të akredituar në Tiranë nuk ka bërë deklarata publike lidhur me zhvillimet politike në vend.