E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Kosovë, s‘ka zgjidhje për pronat

Kukësi dhe Prizreni, prej shumë kohësh kanë ndarë së bashku fatin e tyre politik dhe ekonomik, duke qenë se të dyja trevat kanë funksionuar si plotësim i njëra-tjetrës. Por pushtimi i Kosovës nga sllavët, veçanërisht prishja mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitin 1948, solli ndarjen mes këtyre dy pjesëve duke lënë pas drama njerëzore dhe probleme të pronave që ende nuk janë zgjidhur. Pronat e shqiptarëve që punonin dhe jetonin në Prizren apo në qytete të tjera të Kosovës deri nga fundi i viteve ‘40 të shekullit XX, gjatë dekadave të mungesës së tyre u tjetërsuan nga pushteti serb, u shkatërruan ose u shpallën të shtetëzuara. Pronarët me shtetësi shqiptare në atë kohë qenë persekutuar brutalisht nga serbët, qenë vrarë e burgosur ndërsa në rastin më të butë qenë përzënë në drejtim të Shqipërisë.

Një numër familjesh nga Kukësi dhe rrethe të tjera ruajnë një histori të vështirë lidhur me pronat që kanë pasur në Kosovë, kryesisht në Prizren, deri në gjysmën e shekullit XX. Edhe më herët, nga fundi i shekullit XIX dhe vitet 20 të shekullit XX reformat kolonizuese serbe kanë bërë që një numër pronash, kryesisht shtëpi banimi, dyqane, toka bujqësore etj., të shqiptarëve të Shqipërisë u shtetëzuan, tjetërsuan dhe u shitën. Dhjetëra familje që sot jetojnë në Kukës dhe rrethe të tjera, të cilat u larguan në atë kohë nga Prizreni, Gjakova apo Peja etj., lanë pas tyre një infrastrukturë familjare, zejtarie e biznesi, duke shpresuar se kthimi atje do të ishte i shpejtë dhe se dikur prona e tyre do të njihej. Por për fat të keq, rikthimi ndodhi vetëm pas më shumë se gjysmëshekulli, kur pronat e tyre ose qenë humbur ose qenë tjetërsuar dhe ata, pronarët e vjetër nuk i njohu më askush.

Çlirimi i Kosovës në vitin 1999 ishte jo vetëm një arritje madhore në planin nacional, por edhe një rast fatlum për ata njerëz që kishin lënë atje prona të patundshme, që sot vlerësohen në shumë milionë dollarë. Dhjetëra burra, tashmë gati shekullorë, u kthyen në Kosovë ku me anë të dëshmive, të vështira, rinjohën pronat e tyre dhe ku një pjesë mori me këtë rast edhe karta identiteti të UNMIK-ut. Kjo kategori u takon atyre personave-familjeve, që viti 1948 i kishte gjetur si qytetarë të Kosovës. Për ta rigjetja e pronave kishte qenë më e lehtë në krahasim me kategorinë tjetër, të atyre që nuk kishin qenë nënshtetas të Kosovës, por që kishin pasur prona atje. Nga njerëzit e parë që udhëtuan nga Kukësi drejt trojeve të vjetra në qershorin e vitit 1999 ishin pesë familje nga qyteti i Gjakovës, si dhe rreth 10 të tilla nga Prizreni. Për dhjetëra familje të tjera rikthimi do të ishte i vështirë, siç ka mbetur sot e kësaj dite, pasi nuk gjetën gjurmë të pronave të lëna atje.

Nga njëra anë ishte thjesht vakumi ligjor i Kosovës që pengonte rigjetjen e pronave të shqiptarëve, apo më saktë, ligjet serbe që vepruan në Kosovë edhe pas ‘99-s. Vetëm në fshatrat e rrafshës së Lumës, Komunën Tërthore etj. Janë më shumë se 40 familje që kanë pasur zeje, troje dhe toka bujqësore në Prizren, si dhe dhjetëra të tilla nga fshatrat e Topojanit, Zapodit, nga fshatrat e Hasit etj. Por ata, më saktë pasardhësit e tyre, hasën në pengesa të panumërta që duheshin kaluar me kut ligjor: investimet në godinat e vjetra nga banorët e rinj, kryesisht serbë, qiratë e papaguara për gjysmëshekulli, djegia e banesave gjatë luftës, tjetërsimi i pronës e kështu me radhë. Në rastet kur qiramarrësit ishin shqiptarë, trashëgimtarët patën shumë shpresë se do të përfitonin ndonjë gjë, por ligjet serbe me të cilat ka operuar UNMIK-u deri para një viti e gjysmë, ishin një pengesë e vështirë.

Rasti i familjes Noka

Një nga zejtarët e asaj kohe, Minah Noka nga Kalisi i Kukësit ishte vendosur me banim në Prizren ku kishte instaluar aktivitetin e tij që në fillim të viteve ‘20 të shekullit XX. Siç tregohet në shtypin e asaj kohe, kjo familje nuk shihej me sy të mirë nga pushteti serb dhe u dëbua në vitin 1948, duke lënë prapa gjithçka. Një prej djemve të kësaj familjeje relativisht të madhe, Hamiti, tregon se kur ka shkuar në vitin 1999 në oborrin e shtëpisë në Prizren ku kishte lindur dhe kishte kaluar fëmijërinë, askush nuk e ka njohur dhe për më tepër pranuar si pronar. "Për një farë kohe u çmalla i përlotur duke prekur me dorë muret dhe sokakët ku isha rritur", thotë ai, duke shtuar se në një prej kullave që ka pasur në atë kohë kishte rënë kulmi nga një granatim artilerie, ndërsa në tjetrën ngjitur banonte një qiraxhi që prej 30 e ca vitesh. "Ishte një plak i vjetër i vetmuar, i cili nuk mbante mend se kujt ia kishte marrë me qira, ndërsa më vonë mësova se banesa jonë kishte kaluar në shumë duar derisa ishte bërë shumë e vështirë të gjeje fillin", tregon Hamiti. Ai thotë se tashmë po krijohet një klimë e favorshme për të nisur së pari gjetjen e dokumenteve arkivore dhe nisjen e një procesi gjyqësor civil për njohjen dhe kthimin e pronës.

Edhe tani, një vit e gjysmë pas pavarësisë së Kosovës, pronat përbëjnë një problem të pazgjidhur, ashtu si në Shqipëri. Noka thotë së ende mungon ligji për pronat në Kosovë, ndërsa pohon faktin se tapitë e pronave janë bartur nga serbët dhe janë dërguar në qytete të ndryshme jashtë Kosove. Këtë fakt e pohojnë edhe prizrenasit, njerëz të thjeshtë, por edhe juristë dhe deri struktura të pushtetit. Një anëtar i këshillit komunal atje tha për temën në fjalë se serbët kanë bartur shumëçka nga Kosova, arkivat, muzetë, antikuarët dhe çdo gjë me vlerë. "Dokumentet arkivore, tapitë dhe planvendosje etj. Pushtuesit i kanë bartur më herët në Novipazar, në Beograd dhe në Shkup. Ka një numër kërkesash për këto dokumente dhe për më tepër i duhen shtetit të Kosovës dhe për këtë duhet një ndërmjetësim i fortë, një presion për ta detyruar Beogradin të rikthejë vlerat e grabitura", tha këshilltari komunal i Prizrenit, një ekonomist 50-vjeçar që e njihte çështjen e pronave si problem dhe që siç tha ai, ishte trajtuar disa herë edhe në nivel komunal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›