Karburantet, mallkohet “oligopoli”, por po vjen monopoli
Privatizimi i kompanisë publike të karburanteve, ARMO, është konsideruar një prej privatizimeve më të suksesshme ndër vite të pronës publike në Shqipëri. E vërtetë? Nëse gjykon në terma financiarë, sikurse është çmimi i blerjes apo premtimi për investime, ky konkluzion është i vërtetë. Por, nëse e gjykon problemin në kompleks, atëherë entuziazmi bjerret gradualisht, duke i lënë vend trishtimit që vjen nga përfytyrimi se si do të jetë në një të ardhme të afërt tregu i karburanteve. Dhe, për t’u takuar me realitetin, nuk duhet pritur edhe shumë ditë. Parashikimet tona bëjnë fjalë për muajin shkurt, si muaji në të cilin do të ekspozohet një panoramë e re tregu, ku monopoli absolut i një kompanie dhe të gjitha efektet negative që rrjedhin prej tij do të fillojnë të shfaqen. Gjithçka ka për shkak situatën e re që është krijuar nga privatizimi i ARMO-s, por që efektet konkrete pritet t’i japë në një të ardhme të afërt. Sepse, një nga obligimet që ka marrë shteti përsipër në favor të pronarit të ri është shtyrja e afatit të tregtimit të naftës së tipit D2, të prodhuar nga ish-kompania shtetërore, deri në çastin kur kompania do të arrijë të përmirësojë teknologjinë e rafinimit të produktit. Dhe cili do të jetë rezultati në treg? Duke qenë se operatorët e tjerë të karburanteve janë të privuar nga importi i këtij produkti, atëherë është e qartë se afro 100 mijë tonë naftë D2 do të vazhdojnë të hidhet në tregun e pakicës prej ARMO-s pa konkurrencë, me avantazhin e afro 70 dollarëve për ton që kuotohet nafta D2 në krahasim me Eurodiesel-in nëpër bursa ndërkombëtare. Një produkt më i lirë i hedhur në treg nga një operator dhe bllokimi i të tjerëve me ligj për të hedhur të njëjtin produkt do të thotë automatikisht monopol, madje monopol i vendosur me ligje e vendime qeverie. Dy avantazhet që ka nafta D2 në krahasim me naftën D1, sikurse janë akciza më e ulët për t’u paguar - ARMO paguan 27 lekë për litër, kurse operatorët e tjerë 37 lekë për litër, si dhe çmimi më i ulët i kuotimit në bursë, e vendosin ARMO-n në pozita shumë luksoze. Pozita që ajo do të përpiqet t’i shfrytëzojë sa më shumë dhe për një sasi shumë më të madhe prodhimi sesa kapaciteti vjetor i prodhimit të saj 100 mijë tonësh. Gjithkush mund të presupozojë e parashikojë që prodhimi vendas do të “ndihmohet” edhe nga importe të sasive të mëdha të naftës D2, sigurisht duke e kaluar pengesën ligjore nëpërmjet “maskës D1”. Dhe kush është gati të ngrejë pas këtij arsyetimi pyetjen “Pse paragjykon?”, i sjell në vëmendje praktika të dikurshme, kur Diesel paraqitej e zhdoganohej si vajguri vetëm për efekt të tarifave të ndryshme doganore, kur deklaroheshin sasi eksporti në Kosovë, por që në fakt produkti shitej në vend apo edhe sot, kur sasi të mëdha vergine deklarohen për eksport e shiten në vend duke “përmirësuar” cilësinë e produktit në treg. Dhe sigurisht as që mund të pretendohet te roli garantues i shteti, përderisa ky rol është kompromentuar, për sa kohë vetë shteti është bërë shkak pabarazish në treg.
Punëtorët e ARMO-s, në protestë kundër aferës me privatizimin
Punëtorët e ARMO-s në Ballsh janë ngritur në protesta dje kundër qeverisë për mënyrën se si është bërë privatizimi i kësaj ndërmarrjeje dhe për mënyrën se si po vidhet ajo tashmë nga pronarët e rinj. Ata kanë kërkuar që të ketë shpjegime për mënyrën se si po zëvendësohen drejtorët nga pronari i ri, “Taçi Oil”.
Gazeta “TemA” denoncoi para disa ditësh këtë aferë të re me ARMO-n. Kështu, nën trysninë e fituesit qeveritar, Taçit, është shkarkuar nga detyra Drejtori i Përgjithshëm, Halim Dariu, inxhinier nafte me përvojë dhjetëravjeçare në sektorin e naftës në Shqipëri dhe në vend të tij është emëruar nga strukturat shtetërore Drejtor i Përgjithshëm, Henri Babe, ekonomist i “Taçi Oil”, pa asnjë përvojë në fushën e naftës apo të bizneseve, por me kurajë të madhe për t’iu shërbyer interesave të klaneve kontrabandiste.
Nën trysninë e Taçit janë shkarkuar tre drejtorë të UPN Fier, njëri prej të cilëve nuk qëndroi në detyrë as 24 orë.
Menjëherë me marrjen e detyrës, drejtori i ri, Henri Babe, lidh kontrata shitblerjeje dhe bën shtojca të tyre me shoqërinë “Taçi Oil” dhe bijën e saj KUID Elbasan, me justifikimin se jemi në kuadrin e kalimit të pronësisë dhe me kushtin shumë të çuditshëm, atë të prapapagimit mbas 25 ditësh. Që nga momenti i nënshkrimit të këtyre dokumenteve, klientë të shoqërisë ARMO janë vetëm “Taçi Oil” dhe KUID, që shesin të gjitha produktet e ARMO-s e që arkëtojnë paratë e mallit të ARMO-s, por fatkeqësisht paratë nuk shkojnë për ARMO-n, por për “Taçi Oil”.
I vetmi që e kundërshtoi këtë veprim abuziv e të vjedhjes në mes të ditës, drejtori i UPN, Fier, u shkarkua nga detyra dhe në vend të tij u emërua një tjetër që zbaton qorrazi urdhrat e vjedhjes.