E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjërat e mëdha që mendohen me vogëlsi

Nga Fitim Zekthi

Nënshkrimi i marrëveshjeve të mëdha për prodhim të energjisë elektrike në vend, në mënyrë që Shqipëria të shndërrohet në një eksportues të fuqishëm, kur sot është vendi që vuan më shumë nga mungesa e energjisë, nuk tregon thjesht sa popullore është bërë të merresh me gjëra të mëdha. Më së pari tregon se është keqkuptuar plotësisht të menduarit me madhështi dhe të menduarit për gjëra të mëdha. Të menduarit me madhështi ka të bëjë me ngritjen e vetes mbi interesat e tua personale, ka të bëjë me të menduarit me përvujtni. Shqipërisë së varfër, ku njerëzit përmbyten në shtëpitë e tyre nga cilido përrua që kalon pranë çdo fshati e qyteti, ku, qoftë verë apo dimër, energjia elektrike mund të ikë me orë, ku plehra, letra, lecka e gjithçka tjetër e shakmisur gjendet rrugëve, nuk ka nevojë t’i flitet në këtë mënyrë për zhvillimin. Sigurisht, pa energjinë ekonomia e këtij vendi nuk mund të bëjë asgjë, edhe nëse ky vend do ishte i pastër dhe nuk do përmbytej. Ajo që është cinike është se prej rreth 20 vitesh këtu flitet për gjëra të mëdha (më herët është folur më tmerrshëm për gjëra të mëdha, kjo nuk do të thotë me domosdo se ende nuk kemi ndryshuar regjimin), dhe njerëzit vazhdojnë të jetojnë zezonën nën dritën e gjërave të mëdha. Qeveria nuk ka qenë një zë i izoluar në idetë e tilla të mëdha, pavarësisht se ajo mund të ketë bubulluar më shumë, që nga trenat elektrikë e deri te mrekullitë ekonomike. Ideja e gjërave të mëdha, si një keqkuptim dramatik i të menduarit me madhështi, ka qenë e pranishme po kaq shëmtuar edhe në arsim, sport, kinema etj. Ish-ministri i Jashtëm para dy vitesh tha se ai po punonte që Shqipëria të bëhej anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB në vitin 2024. Një ambasador i yni donte të kryesonte OSBE dhe kjo u shndërrua në përparësi të punës së Ministrisë së Jashtme në mënyrë qesharake. Nuk është e nevojshme të jesh i madh për të qenë i mirë, nuk është e nevojshme të jesh i madh për të bërë gjërat që duhen. Assesi. Mungesa e plotë e përvujtnisë ka çuar në shkeljen e interesit të çdokujt në këtë vend që kërkon të jetojë me punën e tij. Përvujtnia është zëvendësuar me lakminë dhe mburrjen dhe kjo po promovohet paprerë. Kjo sjellje po e shndërron këtë vend në një hapësirë të mbushur me lakmi dhe mburrje. Kjo ishte sjellja që sendërtoi fjalën e lemerishme të Dh. Shuteriqit se “kur gjej një vepër apo libër, atëherë ajo bëhet e imja”. Me këtë të menduar ky njeri, sipas M. Kutelit, përvetësoi veprat e atyre që ranë në burgje. Donte të bënte gjëra të mëdha, sepse lakmia dhe mburrja drejtonin sjelljen e tij. Me këtë mendje një rektor universiteti mori pak ditë më parë shkrimin e një studiuesi bullgar dhe i vendosi emrin e tij. Të marrurit me gjëra të mëdha, ideja e madhështisë, e kundërta e të menduarit me madhështi, bëjnë që në një universitet privat të vijnë të ligjërojnë profesorë të njohur të fizikës për ndarjen e thërrmijave elementare në ciklotron, kur ky universitet nuk ka fare fakultet shkencash. Qëllimi është i njëjtë me atë të qeverisë, të strehomi te madhështia duke menduar ulët dhe duke mos pasur për qëllim të drejtën. A nuk promovohet edhe kjo gjë në “Big Brother”: mburrja dhe lakmia? Një përgjegjës katedre për shkencat e komunikimit e ka quajtur atë zhvillim të madh dhe qasje te realja. Një regjisor shkon dhe e komenton në studio dhe shpjegon sesa e lartë është ajo që bëhet në “Big Brother”. Futbollistë dhe trajnerë të një kampionati, ku rrihet gjyqtari dhe futbollistët nuk luajnë futboll, por thjesht ecin në fushë, gjykojnë Mançesterin, Barcelonën, Milanin etj. E jashtëzakonshme, dhe të gjitha këto nuk ndryshojnë nga ajo që bën qeveria me planet e mëdha energjitike. Të gjithë duan të jenë të mëdhenj dhe lakmia, mburrja është pas gjithë këtyre. Modesti, përvujtni asfare. Vetëm përfitimi dhe interesi personal është kauza që mbrohet. Pavarësisht se të gjithë e dinë se ish-ministri i Mbrojtjes nuk donte të vriste askënd, vdekja e të pafajshmëve në Gërdec, ku vendimet e ministrit sadopak kanë ndihmuar ose sadopak nuk kanë penguar, do të mjaftonte që ai të mos bëjë më mbledhje partie dhe të flasë për ligje dhe reforma. Po ashtu, misri pa kokrra duhet të vlejë për ministrin e Bujqësisë. Po ashtu, për rektorin dhe për shumëkënd në pozita të tilla. Pak ditë më parë ish-guvernatori i Nju-Jorkut, Eliot Spitzer, që dha dorëheqjen për shkak se u publikua një lidhje e tij me një lokal me emër të keq, shkroi në “Washington Post” një artikull për krizën financiare. “Wall Street Journal” e sulmoi ashpër duke thënë që një njeri me moral të tillë nuk mund të flasë më për asgjë në publik. Dy ditë më parë e bëri edhe “New York Times” këtë gjë. Spitzer nuk reagoi, heshti. Atje dinë të të tregojnë vendin, kur humbet sensin e përvujtnisë. Lëvizja e madhe e Luter Kingut, që nisi në 1954 në Montgomery, Alabama kishte kërkesat më të thjeshta dhe më modeste të qiellit dhe tokës bashkë: Zezakët të udhëtonin në autobusë duke u ulur nga fundi dhe të bardhët duke u ulur nga fillimi. Dhe ishte një lëvizje që arriti të mbledhë në një miting 250 mijë vetë. S’kishte aty mburrje, s’kishte aty lakmi, s’kishte gjëra të mëdha. Një lëvizje e jashtëzakonshme dhe një peticion me kërkesa vetëm për mënyrën se si do hipej në autobus. Duke menduar për më të voglat, më jetiket, duke menduar me madhështi erdhi heqja e segregacionit dhe tashmë ka edhe një president me ngjyrë. Ndërsa këtu, një politikan i ri që ka ndihmuar të përkthehet libri i Barack Obamës, ka shkruar në faqe të dytë se ai është redaktor politik i këtij libri. Se ç’domethënë kjo, nuk kuptohet. Ndoshta, kur Obama shkroi këtë libër disa vite më parë, ky ka qenë këshilluesi dhe skicuesi i vizionit politik që ka patur presidenti i sotëm amerikan. Është e njëjta gjë me marrëveshjet për eksport energjie dhe me ato për tren elektrik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›