Pritet ratifikimi i Greqisë, vendit të fundit

Franca ratifikon MSA-në midis BE-së dhe Shqipërisë
Senati francez ka votuar dje në mënyrë unanime Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë, duke çuar kështu në 24 numrin e vendeve anëtare të BE-së që kanë përmbyllur të gjitha procedurat e ratifikimit të Marrëveshjes.
Kërkesa për ratifikimin e Marrëveshjes u prezantua nga Sekretari i Shtetit, në prani edhe të Ambasadorit tonë në Francë, Ylljet Aliçka, të cilit iu përcollën edhe vlerësimet maksimale për arritjet e dukshme të Shqipërisë.
Me këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh kënaqësinë dhe gjen rastin të falënderojë autoritetet franceze për frymën shumë optimiste dhe pozitive që u evidentua gjatë kësaj seance, dhe siguron se qeveria shqiptare do të çojë përpara me vendosmëri të gjitha reformat institucionale që shërbejnë për ta afruar më tej vendin tonë me Bashkimin Evropian. Franca bëhet vendi i njëzetekatër që mbyll procedurat e ratifikimit të MSA me Shqipërinë, duke e sjellë këtë proces shumë afër përmbylljes së plotë.
Pas Francës, ratifikimi i MSA-së pritet të përfundojë edhe nga parlamenti grek, ndërmarrje kjo që do t’i japë fund gjithë procesit të ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare. Pas kësaj do të hyjë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e nënshkruar mes BE-së dhe Shqipërisë dhe vendi ynë do të aplikojë për statusin e vendit kandidat.
...