Basha: SHBA, rol vendimtar për Kosovën
Në ceremoninë festive me rastin e 20-vjetorit të hapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë, kryebashkiaku Basha u shpreh se për shqiptarët Amerika mbetet një ide e madhe.
Për ne Amerika do të mbetet më shumë se një komb, është një ide e madhe. Ideja e madhe është se liria është e mundur dhe se njerëzit janë krijuar për të qenë të lirë se vetëm në liri njeriu mund të realizojë potencialin e tij të plotë. Ideja është se demokracia jep rezultat dhe zëri i qytetarëve duhet të jetë pjesë e qeverisjes, tha Basha.
Basha u shpreh se qytetarët shqiptarë kanë shumë arsye për të falenderuar SHBA-në në një ditë të tillë. Kemi shumë arsye të falenderojmë SHBA-në për rolin vendimtar për lirinë e pavarësinë e Kosovës, për mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kujtoj këtu qindra djem shqiptarë që shërbejnë krah për krah amerikanëve anembanë rruzullit. Nuk mund të shikonim një mik më të mirë se Amerika, tha Basha.