Topalli: Keqardhje që opozita nuk është pjesë e suksesit të vizave

Deklaron kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli shprehu dje keqardhjen e saj që opozita nuk është pjesë e arritjeve të qeverisë, në kuadër të përmbushjes së reformave, për integrimin e Shqipërisë në BE. Gjatë një takimi të zhvilluar me studentë të Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës, kryetarja e Kuvendit Topalli, duke marrë shkas nga vendimi i Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave Shqipëri-BE, tha se “opozita nuk ka qenë pjesë e Parlamentit gjatë muajve të fundit, kur edhe janë miratuar një serë reformash të rëndësishme”.
“Në 20 vite, vendimi i djeshëm i komisioneres Malmstorm është vendimi më i
rëndësishëm, më i mirëpritur, është lajmi më i bukur që ndonjëherë shqiptarët kanë pasur në jetën e tyre. S’ka gjë më të bukur për këto të rinj dhe të reja, për këto studentë që me këtë vendim e shohin veten si të gjithë të rinjtë e tjerë të Europës. Ky vendim ka ardhur pas një pune titanike, ashtu siç tha edhe komisionerja Malmstorm, të qeverisë, të parlamentit, që në këto muaj, ka bërë një punë më të madhe se asnjëherë tjetër, ligje themelore që kanë bërë, që dje, të merrej ai vendim, ka qenë ligji i antimafias, ka qenë ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, ka qenë marrëveshja juridiksionale me të huajt për çështjet penale, ligji për mbrojtjen kundër diskriminimit, ligji apo moratoriumi i skafeve, e të tjera e të tjera, të gjitha këto garanci, të cilat, përve arritjeve të tjera, bënë të mundur që dje të merrnim lajmin e madh. Ligje të miratuara gjatë mungesës së opozitës...Unë shpreh keqardhjen që kolegët e tjerë nuk kanë bashkëpunuar për të qenë edhe ata pjesëtarë të këtij kontributi për të rinjtë dhe të rejat por edhe për gjithë shqiptarët. Gjithsesi, lajmi është për të gjithë shqiptarët, lëvizja e lirë është ëndrra e të gjithë shqiptarëve”- u shpreh kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.