Berisha: Vendimi për vizat, fryt i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme

Kreu i qeverisë vlerëson nga Berati zgjedhjet e vitit të kaluar, duke theksuar se përmbushën të gjitha standardet ndërkombëtare. Kryeministri tha se vendimi i KE për vizat është një ndër arritjet më madhore të shqiptarëve, në tërë historinë e lirisë së tyre. Heqja e vizave, u shpreh kryeministri, përbën gjithashtu një ndër premtimet më madhore të mbajtura të qeverisë shqiptare
Kryeministri Sali Berisha mori pjsë sot në një tur inaugurimesh në qytetin e Beratit dhe zhvilloi një takim me qytetarët atje. Berisha është shprehur para banorëve pas inaugurimit të përfundimit të punimeve të rikonstruksionit të Shkollës së Mesme Lapardha, me vlerë 16 milion lekë, se qeveria ka realizuar reforma të mëdha për kapjen e proceseve të integrimit të Shqipërisë. Duke u ndalur te liberalizimi i vizave, kreu i qeverisë ka theksuar se vendimi i KE-së është fryt i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pasi u takua me stafin pedagogjik të shkollës dhe nxënësit e saj, Kryeministri Berisha vizitoi mjediset e reja të shkollës dhe laboratorët e saj të pajisura sipas standardeve më moderne e bashkëkohore. Gjatë një takimi të zhvilluar me gjimnazistët në orën e Historisë, kryeministri shprehu kënaqësinë që ndodhej me ta në një shkollë të standardeve më të mira dhe garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që kjo shkollë dhe shkolla të tjera të vendit, të jenë tërësisht evropiane. Duke shprehur kënaqësinë që pati rastin të asistonte në orën e historisë, si një prej lëndëve më të preferuara të tij, kryeministri u shpreh: “Kam kënaqësinë që ju gjeta në orën e historisë, si një lëndë e pasionit tim shumë të hershëm dhe të shpreh dëshirën time më të madhe që historianët tanë, mësuesit tanë që shkruajnë tekstet tu japin ju, të vërtetat historike, siç i meritoni, jashtë çdo lloj pluhuri kohe, por ti merrni ato siç janë. Sado e komplikuar sado me probleme që ka qenë historia jonë është historia e një kombi, i cili ruajti identitetin e tij pavarësisht nga të gjithë agresionet barbare që pësoi gjatë historisë së tij shekullore, një kombi që ruajti vlerat e mëdha të qytetërimeve që përjetoi dhe nuk ka më madhështore, më të bukur se qyteti i Beratit për këtë komb”- u shpreh kryeministri Berisha. Në këtë kontekst, gjatë bisedës me nxënësit, kryeministri vlerësoi si një vendim historik, vendimin për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Pas pavarësisë dhe anëtarësimit në NATO nuk ka vendim më të rëndësishëm se ai për heqjen e vizave për ju, familjet tuaja dhe të ardhmen tuaj.”, u shpreh Kryeministri. Gjithashtu, kryeministri u ndal në kabinetin e informatikës, ku bisedoi me nxënësit dhe ritheksoi premtimin e qeverisë, internet për çdo të ri shqiptar. Më pas, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorët e Otllakut dhe Lapardhasë. Në përshëndetjen e tij, kryeministri shprehu kënaqësinë që ndante me ta, gëzimin e veçantë për vendimin e marrë nga KE për heqjen e vizave për Shqipërinë. Kryeministri e cilësoi këtë ngjarje si një ndër arritjet më madhore të shqiptarëve, në tërë historinë e lirisë së tyre. Heqja e vizave, u shpreh kryeministri, përbën gjithashtu një ndër premtimet më madhore të mbajtura të qeverisë shqiptare. Duke vlerësuar mundin, djersën dhe sakrificën e banorëve të zonës për një jetesë më të mirë, Kryeministri i garantoi ata se në këtë komunë është parashikuar dhe do të parashikohet çdo investim që nevojitet për ti dhënë një fytyrë të vërtetë evropiane Lapardhasë dhe të gjithë zonës. Fjala e plotë e kryeministrit Sali Berisha gjatë përshëndetjes së banorëve të Otllakut dhe Lapardhasë “Të dashur qytetarë dhe qytetare të Otllakut e Lapardhasë, përshëndetjet e mija më vëllazërore, nderimin tim më të madh për ju. Kam kënaqësinë e veçantë të jeni ju të parët, me të cilët ndaj gëzimin dhe nderin e veçantë për vendimin që mori dje Komisioni Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Heqja e vizave për shqiptarët përbën një ndër arritjet më madhore në historinë e lirisë së tyre. Me heqjen e vizave qytetarët e një vendi të vogël, qytetarët shqiptarë që vetëm 20 vite më parë jetonin të rrethuar nga tela me gjemba do të mund të lëvizin të lirë, në mbarë hapësirën evropiane, si kurrë ndonjëherë në historinë e tyre. Me heqjen e vizave lëvizjen tuaj e të të mbarë shqiptarëve, në hapësirën e pafundme evropiane, çdo qytetar shqiptar, cdo qytetar i këtij vendi fiton dinjitet të ri, fiton dinjitetin e të qenit qytetar evropian. Me heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Evropën, qindra dhe mijëra familje shqiptare shuajnë brengën dhe mallin që kanë për djemtë dhe vajzat e tyre. Do të mund të shkojnë ti takojnë e të çmallen me ta, do të mund të shkojnë ti ndihmojnë, të ndajnë gëzime dhe hidhërime, së bashku me familjaret e tyre, dhe kjo është një aritje madhe për cdo zemër, të përvëluar për të dashurit e vet. Kjo është një arritje e madhe për të gjithë fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë. Qytetarët dhe qytetare të Otllakut. Heqja e vizave përbën gjithashtu një ndër premtimet më madhore të mbajtura të qeverisë sime. Vendimi i djeshëm i Brukselit ka në themel dhe në bazë vlerësimin e të gjitha arritjeve tona, vlerësimin e të gjitha përpjekjeve tona, vlerësimin e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë sonë. Vizat u hoqën para së gjithash dhe mbi të gjithë se ne zhvilluam zgjedhje të lira e të ndershme dhe festojmë kudo, pritemi në këtë vend, si përfaqësuesit tuaj, si përfaqësuesit e qytetarëve të votuar në liri të plotë. Heqja e vizave erdhi si rezultat i luftës me zero tolerancë, i çlirimit të Shqipërisë, nga Aldo Baret, nga Nehat Kullat e dhjetëra e dhjetëra bosë të mafies që bënin ligjin. Heqja e vizave erdhi si rezultat i luftës me zero tolerancë ndaj të gjitha formave të krimit dhe arritjes në këtë vend, të treguesve të kriminalitetit më ulët se treguesit e mesatares evropiane. Heqja e vizave erdhi si rezultat i shembjes së murit të korrupsionit që kishte ngritur sistemi kleptokratik. Vëllezër dhe motra! Vetëm tre ditë më parë, Shqipëria mori çmimin më të çmuar, në tërë historinë e administratës së saj. Shqipëria u shpall vendi i parë në botë me prokurime elektronike 100 %. Dhe kjo, jo sepse të tjerët nuk kanë fonde dhe mundësi teknologjike për ti bërë prokurimet elektronike, por sepse ne qëndruam në krye të vullnetit të hekurt për procedurat më transparente. Heqja e vizave ishte rezultat i përpjekjeve tona të thella që ju të pajiseshit me dokumentet më të sigurta më moderne në Evropë. Heqja e vizave erdhi si rezultat i vendosjes në kufi të Shqipërisë të sistemeve më moderne të kontrollit, të kalimit të tyre. Heqja e vizave vjen si rezultante e një universi të tërë reformash , të kryera nga kjo qeveri. Kur ne u zotuam se brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të merrej vendimi për heqjen e vizave, pati mjaft skeptikë. Pati nga ata të cilët u përpoqën tu bindnin se kjo nuk do të ndodhte kurrë. Rikthehuni pak tek mediat që ata kontrollojnë, në deklaratat e tyre se Bosnja do t’i marrë vizat dhe Shqipëria jo, se Shqipëria eshtë larg, se Shqipëria do të ndëshkohet, etj Qytetarë të Otllakut, të Lapardhasë dhe të mbarë Shqipërisë, Jetesën ju e siguroni me sakrifica të mëdha, me mund e djersë dhe unë jam i vetëdijshëm se ju nuk e keni të lehtë, por është ky mund, kjo djersë dhe kjo punë e juaja, të cilën kjo qeveri po e shndërron në zgjedhje të lira, po e shndërron në heqje vizash, po e shndërron në vendimin e 27 ministrave të BE-së, për marrjen e statusit të vendit kandidatit për në BE. Unë ju garantoj se rrugën tonë drejt Evropës, ëndrrën tuaj evropiane nuk do të mund ta pengojë askush. Ju garantoj se këtë ëndërr çdo ditë do ta shndërroj në realitet, do ta shndërroj në realitet me shkolla moderne, me rrugë moderne, me shërbime moderne ndaj jush, me infrastrukturë moderne. Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria e rrugëve më të bukura dhe më të mira të rajonit. Një ndër më kryesoret, në mos më kryesorja gjatë këtij mandati është boshti i Jugut. Projekti i Boshtit të jugut Berat- Memaliaj ka përfunduar tërësisht. Jam këtu për të ripërsëritur se premtimin tim dhe të kësaj mazhorance për ndërtimin e tij, do ta shndërrojmë në realitet, se do ta bëjmë atë realitet sepse nuk do të pranojmë kurrë që Berati, qyteti i mijëvjeçarëve të mbetet xhep, jo, Shqipëria pa xhepa është politika jonë. Do ta bëjmë atë sepse lidhja e Beratit me Sarandën, Tepelenën, Gjirokastrën krijojnë një kompleks mahnitës turistik për Shqipërinë dhe botën. Do ta bëjmë atë në zotimin tonë se secili prej jush kudo që ndodhet , kudo që banoni ta arrini Tiranën , në një kohë dy deri në tre herë më të shkurtër se sa e arrinit më parë. Së fundi, jam këtu për tu garantuar ju, se në këtë komunë kemi parashikuar dhe parashikojmë çdo investim që nevojitet për ti dhënë një fytyrë të vërtetë evropiane Lapardhasë dhe të gjithë zonës. Rruga që ju lidh ju me rrugën kombëtare po rindërtohet me parametrat më modernë. Ura që ju lidh me Lumasin do të ndërtohet në parametrat më modernë. Rruga dhe ura, Boshti i Jugut do ju afrojë me tregun e madh të Tiranës. Jam këtu për tu garantuar të gjithë punonjësit buxhetorë, të gjithë pensionistët se 1 korriku do të jetë tjetër për ta, do të jetë dita kur rrogat dhe pensionet e tyre do të rriten Edhe njëherë ju falënderoj për këtë pritje vëllazërore dhe ju garantoj ju se fjalët e dhëna do ti shndërrojmë në realitet. Ju garantoj ju se në këto tre vite fytyra e Shqipërisë e Shqipërisë do të jetë tërësisht evropiane.
...