Vangjel Kosta gënjeu anëtarët e komisionit të ligjeve- ka marrë pjesë në disa dënime politike të nomeklaturës

PD sqaron rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kosta për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Eduart Halimi: Kosta kishte disa dënime politike gjatë regjimit komunist, madje edhe në grahmën e fundit të nomeklaturës
Partia Demokratike sqaron edhe njëherë opinionin publik mbi arsyet që e çuan Kuvendin të hedhë poshtë njërën prej 3 kandidaturave të Presidentit të Republikës, për ripërtëritjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sekretari i Partisë Demokratike, Eduart Halimi tha dje se mazhoranca kishte veçuar që në krye të herës se nuk do të miratojë kandidatura që kanë marrë pjesë në vendime politike të regjimit barbar komunist. Në rastin e Vangjel Kostës, deputeti demokrat evidentoi një fakt konkret, teksa antërët e komisionit të ligjeve, gjatë seancës dëgjimore me 3 kandidaturat për në Kushtetuese, kanë pyetur gjyqtarin në fjalë nëse ka marrë pjesë në dënime politike gjatë nomeklaturës, është përgjigjur negativisht, ndërsa ka rezultuar që ka patur disa të tilla, madje edhe në grahmën e fundit të diktaturës. “Jam këtu para jush për të sqaruar edhe një herë opinionin publik për votimin në Parlament të kandidatit z. Vangjel Kosta. Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së në takime zyrtare me këshilltarin e Presidentit të Republikës (Spiro Peçi) ka siguruar Presidentin se mazhoranca nuk do të sugjerojë asnjë kandidat e do votojë çdo kandidat që plotëson kriteret profesionale, por që nuk kanë marrë pjesë në procese politike të regjimit barbar totalitar dhe nuk kanë mbajtur funksione politike gjatë 20 viteve të pluralizmit, qoftë në qeveritë e PS-së apo të PD-së. Ky vendim i mazhorancës vjen nga besimi i saj më i thellë se nuk mund të jenë në krye të drejtësisë shqiptare, tani pas 20 vitesh, gjykatësit apo prokurorët e proceseve politike të diktaturës”- u shpreh Halimi. Sipas tij, mazhoranca beson se nuk duhet të jenë në krye të drejtësisë as zyrtarë dhe as ish zyrtarë politikë të 20 viteve të fundit, pasi kjo do të lëkundte besimin e qytetarëve shqiptarë tek pavarësia e gjyqësorit. “Garantojmë opinionin publik se kurrë nuk mund të përsëriten më historitë kur anëtarët e kryesisë socialiste, deputetët apo ministrat e saj u emëruan në majën e piramidës gjyqësore të Shqipërisë. Për sa i takon rastit të Vangjel Kostës, njoftojmë opinionin publik se kandidati për anëtar i Gjykatës Kushtetuese gënjeu, mashtroi komisionin parlamentar në seancën dëgjimore, kur mbas pyetjes së deputetëve, nëse ka zhvilluar procese e gjyqe politike, iu përgjigj: JO! Ndërkohë rezultoi se zoti Kosta kishte disa të tilla, për më tepër edhe në vitet e grahmave të fundit të regjimit barbar. Lidhur me procesin e seancave dëgjimore, kjo është arritja më e madhe e Kuvendit të Shqipërisë, e cila do të njohë përmirësime të shpejta të reja. E fundit, qoftë edhe vetëm për gënjeshtrën dhe mashtrimin që bëri para deputetëve të komisionit, zoti Kosta nuk mund të pranohej”- deklaroi deputeti dhe Sekretari i PD-së, Eduart Halimi.
...