E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Shqipëria, e gatshme të financojë për NATO-n



Shqipëria është e gatshme të kontribuojë financiarisht për realizimin e angazhimeve menjëherë pas anëtarësimit me të drejta të plota në NATO. Këtë siguri dha dje ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha përmes një letre që i dërgoi Sekretarit të Përgjithshëm z.Jaap De Hoop Scheffer, ndërkohë që i shprehu vullnetin e Shqipërisë për të pranuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet që lindin nga Traktati i Atlantikut të Veriut. Basha pohon në letër se Shqipëria është e gatshme të vërë në dispozicion burimet e nevojshme financiare, ndërsa njeh dhe pranon faktin që Aleanca bazohet në pikëpamjet e përbashkëta të arritura nëpërmjet konsensusit dhe do të punojë për konsensusin brenda Aleancës. Nëpërmjet letrës, ministri Basha konfirmon zyrtarisht interesin e qeverisë shqiptare për t’u bërë pjesë e Traktatit të Atlantikut të Veriut të vitit 1949. Shqipëria, - thekson ministri Basha në letër - bashkohet me konceptin strategjik të NATO-s për sigurinë dhe mbrojtjen, synon të marrë pjesë plotësisht në strukturat ushtarake dhe planifikimin e mbrojtjes kolektive të Aleancës dhe të angazhojë forca dhe kapacitete për të marrë pjesë në të. Me nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit, ministri Basha e siguron edhe një herë Sekretarin e Përgjithshëm dhe Aleancën se Shqipëria do të vazhdojë e vendosur në rrugën e pakthyeshme të reformave për të rritur më tej kontributin e saj në Aleancë në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në zonën euro-atlantike dhe më gjerë. Letra shënon përfundimin e fazës negociatore, që erdhi pas ftesës së Bukureshtit dhe i hap rrugën nënshkrimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, më 9 korrik 2008. Ky moment historik shënon kurorëzimin me sukses të përpjekjeve shumëvjeçare të Shqipërisë dhe arritjeve të saj veçanërisht viteve të fundit në drejtim të përmbushjes së standardeve në luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformave në sistemin e drejtësisë, reformën zgjedhore etj. Në këtë mënyrë Shqipëria ka përfunduar me sukses negociatat e paraaderimit në NATO dhe pikërisht, në përfundimin e fazës negociatore që erdhi pas ftesës së Bukureshtit, ministri i Punëve të Jashtme z. Lulzim Basha iu drejtua dje me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës z. Jaap De Hoop Scheffer.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›