E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët, PD: Amendime draftit “Biberaj”

Grupi parlamentar i PD-së do t’i bëjë amendime projektit të paraqitur nga deputeti Aleksandër Biberaj për spiunët. Akoma pa u diskutuar në Komisionin e Ligjeve, ligji për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit i përgatitur nga demokrati Biberaj do të ketë edhe amendimet e veta që vijnë po nga brenda partisë në pushtet. Deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, dhe 5 ligjvënës të tjerë të kësaj partie, të asistuar edhe nga katër juristë, prej kohësh kanë nisur përgatitjen e disa amendamenteve mbi ligjin Biberaj. Sipas z.Hoxha, amendamentet e përgatitura nuk tregojnë inkoherencë brenda grupit demokrat, por janë thjesht një e drejtë kushtetuese e ligjvënësve për të ndërmarrë nisma të tillë nëse e shohin të nevojshme. Të hënën amendamentet e përgatitura nga deputeti Hoxha dhe 6 ligjvënësit e tjerë demokrat do jenë gati dhe kështu pritet që të shkojnë në tavolinën e Komisionit të Ligjeve së bashku me ligjin e përgatitur për të njëjtën çështje nga deputeti tjetër i PD-së, Aleksandër Biberaj. Ky i fundit dorëzoi pranë Parlamentit projektligjin për “hapjen e dosjeve” të kohës së regjimit komunist. Në këtë projektligj përfshihet hapja e dosjeve për të gjithë funksionarët e lartë të shtetit, qoftë në rang lokal ashtu dhe qendror, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 31 mars 1991. Të gjithë ata që dalin me dosje do të duhet të dalin vullnetarisht nga jeta publike, të japin dorëheqjen, përndryshe do të largohen nga puna nga eprorët përkatës. Me anë të këtij projektligji propozohet ngritja e Autoritetit të Kontrollit të Figurave, i cili nuk ka varësi nga asnjë institucion kryesor, pasi dhe anëtarët e tij propozohen nga të gjitha institucionet që nga Presidenca deri te gjykata. Pasi verifikohet figura e çdo anëtari të këtij autoriteti, ai fillon nga puna. I duhet të shqyrtojë me anë të arkivave të gjitha kandidaturat për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, të gjithë kandidatët për poste të larta me zgjedhje ose të dekretuara, pastaj kandidatët marrin të drejtën për postin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›