E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi; Anëtarët e Gjykatës së Lartë ofrojnë ndihmë për gjyqësorin kosovar

Anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë pritur dje në një takim delegacionin e nivelit të lartë të Kosovës, i kryesuar nga Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, si dhe Ministri i Shërbimit Publik, Arsim Bajrami. Gjatë takimit dy palësh, sipas burimeve zyrtare, të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë theksuan rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e drejtësisë, ku ndihma nga të dyja palët do të jetë mëse e nevojshme dhe konkrete, në mënyrë që të arrihen standartet e kërkuara nga ndërkombëtarët. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri me një kushtetutë të re dhe moderne, institucioneve të drejtësisë u del nevoja që të nisin reformat e duhura për përmirësimin e legjislacionit në fuqi, duke e përafruar atë me vendet e përparuara. Hapa të rëndësishëm, sipas ministrës së Drejtësisë së Kosovës, janë dhe ngritja dhe standartizimi i gjykatave themelore, të qarqeve, gjykatave të apelit, Gjykatës Supreme, si dhe dy gjykatave Administrative dhe Komerciale. Anëtarët e Gjykatës së Lartë theksuan se gjyqësori shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar me kolegët e tyre kosovarë, të cilët për t'i shërbyer shtetit të tyre të ri, do të duhet t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë rritjes së standardeve në drejtësi dhe gjyqësor, në mënyre që ai të jetë sa më i pavarur dhe demokratik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›