E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Shqipëria, jo në listën e SHBA për trafiqet

 

"Si rezultat i luftës me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit mbi trafikimin e qenieve njerëzore e ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim, duke vlerësuar në këtë mënyrë përpjekjet dhe arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore". Kështu deklaroi Ministri i Brendshëm, Lulzim  Basha, në takimin e zhvilluar në Bruksel të ministerialit të BE-së, e organizuar nga Suedia "Drejt një veprimi global kundër trafikimit të qenieve njerëzore". Gjatë fjalës së tij në këtë ministerial, ministri Basha theksoi se lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore përbën një prioritet madhor të qeverisë shqiptare. Ashtu siç theksoi edhe raport progresi, këtë vit Shqipëria ka bërë përparime në luftën kundër këtij trafiku, duke zbatuar Strategjinë Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore. "Fokusimi i përpjekjeve tek identifikimi dhe rehabilitimi i viktimave të trafikut është rezultat i suksesit të luftës kundër trafikut që Shqipëria ka korrur vitet e fundit. Kështu gjatë vitit 2007 u identifikuan 199 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit me 238 autorë, gjatë vitit 2008 u identifikuan 104 raste me 154 autorë dhe gjatë vitit 2009, 46 raste me 73 autorë. Në afro 39 operacione me teknika speciale gjatë këtyre viteve janë goditur dhe eliminuar 72 grupe kriminale dhe janë vënë para drejtësisë qindra anëtarë të këtyre grupeve", tha Basha. Ministri i Brendshëm informoi homologët në ministerial mbi hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për pajisjen me pasaporta biometrike të qytetarëve shqiptarë dhe modernizimit të sistemit të gjendjes civile. Deri më tani janë pajisur me pasaportë biometrike 9% e qytetarëve shqiptarë, çka do të thotë se Shqipëria ka ritmin më të lartë në rajon në këtë drejtim, duke pasur parasysh se procesi filloi në muajin maj të këtij viti. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë takimit me homologët e vendeve të NATO-s në Sofie se "Shqipëria do të vijojë të mbështesë politikën e "dyerve të hapura" dhe do të mbështesë të gjithë ato vende që shprehin vullnetin e mirë për t'u bashkuar me SEDM-in dhe të ndajnë me ne vlera të përbashkëta. "Në këtë kontekst, qeveria shqiptare beson se pranimi i Malit të Zi dhe Serbisë në SEDM do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit rajonal, paqes dhe stabilitetit, i cili nuk mund të jetë i plotë, pa pjesëmarrjen e plotë të Kosovës në këto forume," u shpreh Imami. Ministri i Mbrojtjes zhvilloi një sërë takimesh dy paleshe, si me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Mbrojtjen të SHBA-ve, z.Alexander Vershboë, me të cilin u diskutuan shumë çështje që kanë të bëjnë me stabilitetin e rajonit dhe kontributin që SHBA-të kanë dhënë për Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›