Benzenberg: Si ndryshoi Shqipëria në sytë e mi
alma mile
“Nuk e njoha Shqipërinë nga bashkëshorti im. Dëshiroja të vija këtu e më pas u dashurova me këtë vend”. Ishte viti 1991, kur Jutta Benzenberg erdhi për herë të parë në Shqipëri. Me aparatin që nuk e hiqte asnjëherë nga duart, ajo fiksonte gjithçka. Vende, portrete, situata... Fotografi tronditëse bardhë e zi. Kjo ishte mënyra se si ajo e shihte Shqipërinë aso kohe. Një këndvështrim që i zgjati, deri në momentin kur në ndërgjegjen e saj u shfaq një princeshë e vogël, e cila i shihte gjërat ndryshe, pozitivisht. Atëherë lindi edhe dëshira për të fotografuar e ngjyra. Ky rrugëtim fotografik, gati prej dy dekadash përshkruhet në ekspozitën retrospektive “Shqipëria në 18 vjet”, e cila u hap mbrëmë në galerinë FAP të Akademisë së Arteve në Tiranë në kuadrin e stinës së aktiviteteve “Tetori gjerman”. Ekspozita e Benzenberg është e ndërtuar nga tri episode. Në sallën kryesore të ekspozitës shfaqen me videoprojektor një seri fotografish bardhë e zi, që fotografja ka realizuar gjatë viteve të para të demokracisë në Shqipëri. Është viti 1991 dhe ajo ndodhet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Të fiksojë rrënojat e një diktature dhe hapat e para të një demokracie. Të gjitha këto fotografi ajo i ka përmbledhur në një album, që e titullon “Shqipëria e mbijetuar”. Varfëri e skajshme, portrete që nuk e fshehin dot dhimbjen, rrugë gjithë baltë, qiej gri... Njerëzit duan të shembin gjithçka e kaluara u ka trashëguar, ndërsa shpresa është larg. Është ende kohë kangjellash. Kohë, kur vende si Spaçi e Savra ende mbjellin frikë. Më tej shfaqen disa foto më të vona, realizuar në vitin 2003. Sërish bardhë e zi, por tek-tuk në sytë e njerëzve duket një dritë shprese. Dhe në fund foto të realizuara një vit më parë. Janë fotografi artistike me ngjyra, të realizuara në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Përveç fotove që shfaqen me videoprojektor, në një tjetër sallë të galerisë ekspozohen një seri fotografish, sërish me ngjyra, në të cilat është i pranishëm një personazh. Ajo është Sindi, një kukull-princeshë, e cila ndryshe nga Jutta, e takon botën pozitivisht.
“Këto nuk janë fotografitë e mia, por të Sindit. Unë e takova atë një ditë dhe ajo më tha, të lutem do të bësh fotografi kudo që dua unë. Gjithçka që ajo sheh në fshatra, në kaosin e Tiranës, ajo e pëlqen. Ajo është kaq pozitive. Kemi parë shumë vende së bashku, në Tiranë, Shkodër, etj”, - tregon fotografja, e cila e ka ftuar këtë princeshë të vogël në hapjen e ekspozitës së saj, jo thjesht si një vizitore, por që të pranishmit të mund të bëjnë edhe fotografi pranë saj. Por Sindi nuk është thjesht një kukull, që fotografja mund t’ua ketë “huazuar” vajzave të saj. Në një farë mënyre ajo është vetë Jutta, e cila dëshiron ta shohë Shqipërinë pozitivisht. “Ishte një ditë plot stres, gjatë së cilës mundohesha të bëja fotografi të bukura, por jo gjithçka po shkonte mbarë. Në atë moment vjen ajo dhe më thotë që nuk duhet të jem kështu, nuk duhet të mendoj kështu. Ajo më dha shumë pozitivitet dhe forcë, t’i shihja gjërat me një sy tjetër, me më shumë dritë. Ajo më ka ndihmuar”, - thotë Jutta Benzenberg. Ndërsa seria tjetër e fotografive që ajo sjell për publikun janë portrete njerëzish, të cilët kanë përfituar përmes projekteve të AMC-së. Ajo thotë se i pëlqeu ky projekt, pasi ishte tërësisht e lirë në punën e saj. Të fotografonte dhe të kuptonte prej tyre. “Vajza ime, 13-vjeçare, që vizitoi dje ekspozitën më tha: Mami këtu është këndshëm dhe ngrohtë”. Kjo është ajo çka unë kam dashur të them. Të afroj njerëzit me njëri-tjetrin, të tregoj se nuk janë shumë të ndryshëm. Ata nuk janë shumë larg, janë të fortë dhe modernë madje”, thotë ajo. Fotografja thotë se tashmë ajo ka nisur të ndryshojë konceptin e saj mbi fotografinë, për ta bërë atë edhe të dobishme. “Të mos shohim thjesht varfërinë, por të mundohemi që përmes saj të ndryshojmë gjërat. Mund t’ju sjell rastin e një shkolle të shkatërruar në Pogradec. Vetëm përmes fotografive, AMC ofroi ndihmën e vet dhe ndërtoi këtë shkollë”, - thotë ajo.