E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia: Shqipëria pa viza brenda 2010

 

ADI SHKEMBI

Italia do të kundërshtojë çdo vendim që do të lërë Shqipërinë jashtë liberalizimit të vizave me BE-në. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, gjatë një takimi me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Gjatë kësaj bisede, krerët e diplomacive të dy vendeve folën gjithashtu edhe për statusin e vendit kandidat, si dhe për bashkëpunimin në sektorin energjetik, por edhe më gjerë. Duke u ndalur në vendimin e heqjes së regjimit të vizave mes Tiranës dhe vendeve të Unionit, ministri i Jashtëm italian theksoi se: “Italia do të kundërshtojë gjithsesi zgjidhje që do ta linin Shqipërinë pas. Ne sapo kemi njohur progresin e bërë nga tre shtetet e tjera të Ballkanit: Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat ka shumë mundësi që do të kenë një regjim të liberalizuar të vizave në fund të dhjetorit të këtij viti, por menjëherë pas përmbushjes së standardeve e cila, sipas bisedës me Ministrin Meta, do të bëhet realitet para fundit të këtij viti, përmbushjes së të gjitha standardeve, edhe Shqipëria duhet t’i bashkohet atyre vendeve që arritën këtë rezultat të dukshëm dhe të prekshëm të regjimit të liberalizuar të vizave”. Fratini theksoi se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, Komisioni do të marrë vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Lidhur me këtë çështje zv/kryeministri, Meta u shpreh se vendi ynë ka pasur përparim në të katër kërkesat e Komisionit Evropian. “Qeveria shqiptare ka bërë aktualisht progres shumë domethënës, gjithashtu edhe në rritjen e sigurisë së dokumenteve tona dhe në prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike, në luftën kundër krimit të organizuar, dhe ne një menaxhimin te integruar dhe më të mirë të kufijve. Ne po tregojmë progres në këtë drejtim dhe kemi bindjen se brenda pak javëve ne do të përmbushim të gjitha kërkesat e bëra në road map për liberalizimin e vizave”, tha Meta. Një tjetër çështje e diskutuar gjatë këtij takimi ishte edhe ajo e marrjes së statusit të kandidatit nga Shqipëria. Kreu i diplomacisë së Romës theksoi se në mbledhjen e ardhshme të ministrave të Jashtëm do të kërkojë pikërisht kalimin e aplikimit në departamentin përgjegjës të Komisionit. “Ne folëm për aplikimin për anëtarësim në BE të paraqitur nga Shqipëria së fundi dhe përsërita se të hënën e ardhshme, në mbledhjen e ministrave të Jashtëm në Luksemburg do të diskutoj përsëri transmetimin e shpejtë të aplikimit Departamentit përgjegjës të Komisionit Evropian, për të filluar procedurat të cilat shpresojmë të çojnë në njohjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, theksoi Fratini.

Bashkëpunimi ekonomik
Ministri Fratini ka konfirmuar gjithashtum se: “Me Shqipërinë po diskutojmë si të përmirësojmë bashkëpunimin në sektorin e energjisë” dhe në lidhje me këtë çështje ai ka kujtuar se: “sipërmarrje të rëndësishme italiane kanë treguar interes dhe kanë realizuar atje projekte energjike në fushën hidroelektrike”. Sipas Metës: “Italia ka luajtur një rol udhëheqës e shumë të rëndësishëm për të na ndihmuar të dalim nga kriza në këtë fushë dhe, gjithashtu të reformojmë këtë sektor, përmes Kooperacionit italian”.

Vizat, doganat blejnë 26 kabina kontrolli
Qeveria miratoi propozimin e ministrit të Financave, për t’i dhënë të drejtën Drejtorisë së Doganave të blejnë 26 kabina kontrolli deri në 30 nëntor 2009. “Këshilli i Ministrave vendosi lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të doganave të kryejë, brenda datës 30 nëntor 2009, procedurën e prokurimit me objekt ‘blerjen dhe instalimin e të 26 kabinave të kontrollit’”, thuhet në vendim. Vendimi vjen pas kërkesës së bërë nga ekspertët e komisionit evropian, në kuadër të liberalizimit të vizave.

Meta: Pika treshe do negociohet
Kufiri detar, Italia:Duhet të pyetemi dhe ne

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini tha dje se vendi i tij duhet të jetë pjesë e bisedimeve për marrëveshjen mes Greqisë dhe Shqipërisë për caktimin e kufirit detar. Kjo deklaratë e kreut të diplomacisë italiane vjen në një moment kur opozita ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin e marrëveshjes nëse ajo është antikushtetuese. “Unë them se çështjet që kanë të bëjnë me kufijtë detarë duhet të trajtohen nga vendet e interesuara. Këtë qëndrim kam mbajtur me forcë kur bëhej fjalë për kufirin detar mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Aq më shumë e theksoj këtë qëndrim në çështjen me Greqinë”, tha Fratini. Nga ana e tij zv/kryeministri dhe ministri Meta theksoi se: “Lidhur me këtë marrëveshje dua të them se ajo është një marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila respekton dhe është mbështetur në zbatimin e konventës ndërkombëtare për detin dhe sigurisht respekton edhe interesat italiane. Për sa i përket pikës treshe, ajo do të negociohet mes tre palëve”. Qeveria shqiptare ka mbrojtur paktin me Greqinë si kushtetues dhe në zbatim të konventës së detit. Por opozita së bashku me ekspertë të pavarur kanë kundërshtuar disa pika të kësaj marrëveshje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›