E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festë e “çmendur” në Luz, fitojnë ndaj kampionëve



Festë “kampionësh” në Luzin e Vogël. Luzi 2008 shkatërroi 3-1 me Tiranën në takimin e vlefshëm për ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, duke dhuruar edhe surprizën më të madhe të këtij turi. Ndeshja u zhvillua në një atmosferë festive në fshatin e vogël të rrethit të Kavajës. Ndeshjen e ndoqën të dy presidentët e klubeve respektive, Lusha i Luzit dhe Halili i Tiranës. Takimi nisi me një minutë heshtje në kujtim të bashkëshortit të ndjerë të donatores së Tiranës, Shefikat Ngjela, Filip Ngjela, të ndarë nga jeta në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara. Jetmir Sefa shënoi i pari për 13-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë në minutën e 14-të, por pa kaluar ende dy minuta, Bejko në të 16’, barazoi për Luzin. Fagu në minutën e 42-të dhe Gega njëzet minuta më pas, në të 62’, kompletuan triumfin historik të Luzit të Kategorisë së Dytë ndaj klubit me më shumë trofe në Shqipëri, por që u paraqit në fushë me një skuadër të nivelit të dytë. Në ndeshjen e kthimit (4 nëntor 2009), Tiranës i duhet të fitojë të paktën me dy gola diferencë, 2-0, ose me 3 gola diferencë (4-1, 5-2), në rast se finalistët e sezonit të kaluar të Kupës së Shqipërisë synojnë kualifikimin. Gjithsesi, sido që të jetë fati i mëtejshëm i Luzit në aventurën e tij në Kupën e Shqipërisë, fitorja e bujshme 3-1 ndaj 24-herë kampioneve në Shqipëri do të mbetet në historinë e klubit simpatik, ashtu si edhe stërvitja e Kombëtares shqiptare. Dinamo nuk fal as në Kupën e Shqipërisë. Kryesuesja e kampionatit të Kategorisë Superiore fitoi 2-3 në transfertën me Adriatikun e Mamurrasit. 13-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë – për herë të fundit Dinamo e ka fituar atë në edicionin 2002-2003 – dominuan plotësisht takimin. Laçi fitoi 1-2 në transfertë me fqinjin e Kategorisë së Parë, Besëlidhjen. Marashi shënoi të dy golat për laçjanët e Stavri Nicës në minutat 3 dhe 45. Gega realizoi për lezhjanët në minutën e 43-të. Kastrioti regjistroi një fitore të rehatshme 0-4 në transfertë me Sopotin e Librazhdit. Turbina e Cërrikut fitoi 1-0 me Bylisin e Ballshit. Burreli e Lushnja, dy skuadra që militojnë në Kategorinë e Parë, u ndanë në barazim pa gola. Flamurtari nuk e pati aspak të vështirë të largohej “golaplot” nga Gramshi, duke fituar me rezultatin e pastër 0-3. Gola dhe kënaqësi e pafund për tifozët skrapallinj në takimin Skrapari-Skënderbeu, të përfunduar me rezultatin tenistik 5-3, në një ndeshje ku protagonistë kanë qenë futbollistë të dorës së dytë. Gramozi tregoi dhëmbët si skuadër e Kategorisë Superiore, duke fituar 1-3 në transfertë ndaj Luftëtarit të Kategorisë së Parë. Ada nuk shkoi më shumë se 0-0 me rekordmenët e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në vend, Partizanin. Falë golit në minutën e 92-të të veteranit elbasansit Klevis Dalipi, Kamza fitoi 2-1 me Elbasanin në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Golin e parë për kamzalinjtë e shënoi Ndoni në minutat e fundit të pjesës së parë, ndërsa për verdheblutë e Muharrem Dostit realizoi Gjika.

Besa vuan me Pogradecin

Vetëm një gol i Daniel Xhafajt tri minuta nga përfundimi i kohës së rregullt (në të 87’) i siguroi Besës një fitore të vështirë 2-3 në transfertën me Pogradecin, në takimin e luajtur në fushën e Pojanit. Besa vuajti shumë me Pogradecin e Kategorisë së Parë, pasi u gjend dy herë në dizavantazh. Për liqenorët shënuan Çela dhe Eminhazeri, ndërsa për kavajasit Blerim Hasalla (61’), Vrapi (80’) dhe Daniel Xhafaj (87’). Shkumbini kualifikohet në turin e dytë përveç fitores edhe me çdo lloj barazimi.

Rekord shqiptar
Fenomeni “Balaj”, 6 gola në 3 ndeshje të ndryshme

Një tripletë e sulmuesit të talentuar shkodran, 18-vjeçarit Bekim Balaj (32’, 64’ e 74’), e shoqëruar edhe me një gol të kosovarit Fetim Kasapi (83’), i siguruan një fitore komode 0-4 Vllaznisë ndaj Tomorit në Berat, duke e mbyllur brenda 90 minutave të parë kualifikimin e 9-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë. Ajo që vlen të veçohet nga ajo ndeshje pa histori midis dy skuadrave me emër në Shqipëri është fenomeni “Balaj”. Bekimi ka shënuar 6 gola në harkun e tri ditëve: 2 me Vllazninë në fitoren 2-0 në kampionat me Shkumbinin (java e 7-të, të dielën, më 18 tetor), 1 gol në miqësoren e Kombëtares U-19 me Qipron (1-1, më 20 nëntor) dhe 3 gola në ndeshjen e Kupës kundër Tomorit (0-4, më 21 nëntor). Një rekord origjinal për futbollin shqiptar. Shkumbini fitoi 1-2 në transfertën e Memaliajt për ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Peqinasit kaluan dy herë në avantazh me anë të një dygolëshi të Muçës, përpara se Tata i Memaliajt të shënonte golin e flamurit për skuadrën e Kategorisë së Parë. Shkumbini kualifikohet në turin e dytë edhe me çdo lloj barazimi, por edhe me një humbje minimale 0-1 në fushën e saj dy javë më pas.

Skandal, Flamurtari i stadiumin Vlorës

Një tjetër skandal në futbollin e varfër shqiptar. Takimi Vlora-Teuta, i vlefshëm për ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, Grupi B, nuk u zhvillua për një arsye shumë komike, por njëherësh edhe shumë serioze. Drejtuesit e klubit “Flamurtari” nuk lejuan zhvillimin e ndeshjes Vlora-Teuta. Arsyet kanë të bëjnë me mos marrjen e lejes nga skuadra e Vlorës, një klub i Kategorisë së Dytë dhe një rival i ri i Flamurtarit të famshëm. Pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës për fatin e mëtejshëm të këtij çifti.

Kupa e Shqipërisë, Turi i parë

21.10.2009
Grupi A

1 Luzi-Tirana 3-1
2 Mamurrasi-Dinamo 2-3
3 Memaliaj-Shkumbini 1-2
4 Pogradeci-Besa 2-3
5 Besëlidhja-Laçi 1-2
6 Sopoti-Kastrioti 0-4
7 Turbina-Bylis 1-0
8 Burreli-Lushnja 0-0

Grupi B

1 Tomori-Vllaznia 0-4
2 Vlora-Teuta (nuk u luajt)
3 Gramshi-Flamurtari 0-3
4 Bilisht Sport-Apollonia 3-1
5 Skrapari-Skënderbeu 5-3
6 Luftëtari-Gramozi 1-3
7 Ada-Partizani 0-0
8 Kamza-Elbasani 2-1

Ndeshjet e kthimit luhen, më 4 nëntor 2009

22 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›