Rezoluta për Kosovën, zyrtarët kosovarë optimistë për njohje të reja
Miratimi i Rezolutës në Organizatën e Konferencës Islamike, nga Prishtina zyrtare shihet si mesazh për njohje të reja dhe pranim i realitetit të ri të Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, përmes një konference të përbashkët, vlerësuan se kjo Rezolutë do të ketë efekte të shumanshme pozitive në raportet mes shtetit të Kosovës dhe vendeve të botës islame. Sejdiu tha se Rezoluta shpreh marrëveshjen e vendeve anëtare të Konferencës Islamike, por edhe njohje të realitetit të ri në Kosovën e pavarur. “Konsiderojmë një mbështetje për vizionin tonë politik dhe në të njëjtën kohë, një përkrahje që ne e kuptojmë si fillim të mirë të njohjeve, që duhet t’i bëhen Republikës së Kosovës. Presim po kështu që në procesin e mëtejshëm të ketë njohje të tjera, duke shprehur në të njëjtën kohë gatishmërinë e institucioneve të Republikës për bashkëpunim më të drejtpërdrejtë me këto vende”,- tha Sejdiu. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo Rezolutë është shumë e rëndësishme për Kosovën. Ai tha se miratimi me unanimitet tregon se në të ardhmen këto shtete anëtare të Konferencës Islamike do ta njohin Kosovën. “Është mesazh i qartë dhe shtytje edhe më e madhe, që të gjitha këto shtete në të ardhmen e afërt të njohin Republikën e Kosovës. Rezoluta ka vlerësuar lart zhvillimet dhe progresin e madh të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vazhdojë ta ndihmojë zhvillimin e shtetit të Kosovës”,- theksoi Thaçi. Miratimi i Rezolutës është përshëndetur edhe nga opozita kosovare. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se miratimi i kësaj Rezolute është kontribut i drejtpërdrejtë i angazhimit të diplomacisë së Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, Turqisë dhe Arabisë Saudite. Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Konferencës Islamike. Sejdiu tha se Kosova është e interesuar të jetë antare e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, por paraprakisht ai tha se Kosovës i duhet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Nga 57 shtetet anëtare të Konferencës Islamike, 13 prej tyre e kanë njohur deri tani Kosovën e pavarur. Rezoluta e miratuar në Damask të Sirisë ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj organizate që në sesionin e radhës të Ministrave të Jashtëm, të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë.
Beogradi: Rezoluta sukses për Serbinë, nuk parashikon njohje për Kosovën
Ndërsa Prishtina gëzon për suksesin e miratimit të Rezolutës të Konferencës Islamike, autoritetet serbe bëjnë të ditur se ajo nuk përmban thirrje për njohje të pavarësisë së Kosovës, e as për mbështetje të pavarësisë. Drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Borisllav Stefanoviç tha se rezoluta përmban “ndryshime në amendamente”, në të cilat ka insistuar Serbia, nëpërmjet vendeve mike, në kuadër të kësaj organizate dhe në këtë mënyrë, sipas tij, është penguar vala e re e njohjes së Kosovës.
“Në rezolutë nuk qëndron kurrfarë thirrje për pavarësinë e Kosovës dhe as mbështetje për këtë pavarësi”,- tha ai për gazetarët në Beograd dhe shtoi se “Serbia është përgatitur mirë dhe ka arritur ta ndalë edhe një përpjekje serioze për shkeljen e integritetit territorial të vendit”.
Sejdiu shpall datën e zgjedhjeve lokale
Presidenti Fatmir Sejdiu shpall sot datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë. Kohët e fundit kreu i shtetit ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të partive politike dhe sot pritet një takim final. Partitë e bllokut opozitar kanë koordinuar qëndrimet, që zgjedhjet e ardhshme të mbahen në tetor të këtij viti, por kanë dallime mes datës 18 dhe 25 tetor. Ndërsa përfaqësuesit e partive që përbëjnë koalicionin qeverisës, (LDK dhe PDK) edhe pse nuk e kanë kundërshtuar faktin se zgjedhjet lokale do të mbahen këtë vit, preferojnë muajin nëntor. Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, jo më shumë se gjashtë muaj para skadimit të mandatit të institucioneve në fuqi.
Koreja e Veriut indiferente ndaj kritikave, provon sërish raketa bërthamore
Koreja e Veriut ka vazhduar dje me provat e dy raketave me rreze të shkurtër veprimi, megjithë qëndimin dhe kritikat e ndërkombëtarëve kundër provave të cilat mendohet se janë rrezik për sigurinë. Njoftimi agjencisë “Yonhap” citon pa emër burime qeveritare të cilat kanë thënë se provat u bënë në një poligon në brigjet lindore të vendit. Koreja e Veriut para dy ditësh bëri tri prova me raketa, pas provës së nëndheshme me një mjet bërthamor. Në një sesion të jashtëzakonshëm, 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dënuan njëzëri provën bërthamore të Koresë së Veriut. Këshilli i Sigurimit tha se po përgatitej për një përgjigje të fuqishme ndaj Phenianit, por nuk u bë e qartë se sa larg është i predispozuar të shkojë Këshilli i Sigurimit. Agjencia ruse e lajmeve, “Interfax”, citoi një burim të ministrisë së Jashtme të Rusisë, sipas të cilit miratimi i rezolutave të ashpra është i pashmangshëm, sepse tashmë është sfiduar autoriteti i Këshillit të Sigurimit.
Zbulohet një varr i përbashkët në Srebrenicë
Një varr i përbashkët është zbuuar dje në Bosnjën lindore ku mendohet se gjenden eshtrat e rreth 20 viktimave të masakrës së Srebrenicës, të kryer rreth fundit të konfliktit boshnjak (1992-1995). Varri i përbashkët u zbulua në fshatin Mrsici, rreth 40 kilometra në perëndim të Srebrenicës, deklaroi një zëdhënëse e Komisionit boshnjak për personat e zhdukur, Lejla Cengiç. “Kemi zhvarrosur deri tani eshtrat e nëntë personave, por presim të gjejmë mbetjet e të paktën 20 viktimave”,- shtoi ajo. Punimet e zhvarrimit pritet të vazhdojnë për disa ditë. Më tepër se 5 600 viktima të masakrës së Srebrenicës, e vlerësuar si gjenocid nga instancat gjyqësore ndërkombëtare, janë identifikuar deri tani, pasi janë zhvarrosur nga rreth 70 varre të përbashkëta të zbuluara në këtë rajon. Rreth 8 000 burra dhe adoleshentë myslimanë janë vrarë gjatë kësaj masakre, të kryer brenda disa ditëve pas marrjes nën kontroll të enklavës myslimane.
27 Maj 2009