Ethet e maturës, të enjten ngujohen hartuesit e testit
zirina llambro
Nisin ethet e provimeve të maturës. Vetëm një javë i ndan prej testit të parë të detyruar. Konsultimet tashmë kanë filluar, ndërsa hartuesit e tezës finale të enjten do të “ngujohen” në mjediset e AVA-s. ”Procesi i Kohës së Ekspozimit Potencial të Sekretit (KOEPS) nis pas dy ditësh. Janë rreth 20 specialistë që do të hartojnë tezat e provimit të Letërsisë”, këtë bënë me dije dje drejtuesit e Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve. Ata sqaruan se hartuesit e pyetjeve të provimit do të izolohen për 6 ditë në mënyrë që të përgatisin dhe shumë-fishojnë testet e provimit për mbi 45 mijë maturantë. Drejtuesit e AVA konfirmojnë se fondi i pyetjeve është disa herë më i madh se vitin e kaluar. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, lloji i testit me të cilin do të provohet nxënësi, varet nga programi lëndor që ai ka kryer në shkollën e mesme. Në përputhje me këto kushte, sivjet do të hartohen teste, në varësi të profilit të arsimit. Kjo, pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, janë të ndryshme për tipa të ndryshme shkollash. Kështu pasi specialistët të kenë përgatitur tezat përfundimtare të letërsisë, do të nisë shpërndarja e tyre në çdo mjedis ku do të zhvillohen provimet. Sipas rregullores, ato do të dërgohen me një kuti të vulosur, e cila do të përmbajë testet për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në provim, bashkë me listat e tyre, bar-kodet dhe elementët e nevojshëm për zhvillimin e provimit. Provimit të letërsisë maturantët do t’i nënshtrohen më 2 qershor. Më tej në datën 11 qershor ata do të japin provimin e matematikës. I gjithë procesi përmbyllet me provimet me zgjedhje më 10 korrik. Ndryshe nga më parë këtë vit maturantët kanë të drejtë të kërkojnë rivlerësimin e tezave të tyre, të cilat do të bëhen nga komisione të posaçme që do të ngrihen pranë AVA-s. Ky rregull u vendos pasi nga analiza që u është bërë ankesave të mëparshme ka rezultuar se rreth 10 % e tyre kanë qenë të drejta.